Vazhdojnë protestat masive kundër elitës politike në Algjeri

  • 03 May 2019 - 17:54
Vazhdojnë protestat masive kundër elitës politike në Algjeri

Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e Algjerit pas lutjeve të së premtes. Ata janë dëgjuar duke brohoritur “Nuk do ta mbyllim gojën”. Protestuesit kanë kërkuar që e tërë elita politike të largohet nga pushteti, një muaj pas rënies së presidentit Abdelaziz Bouteflika.

Bouteflika u detyrua të japë dorëheqje nga pozita e presidentit më 2 prill pas 20 vjetësh të qëndrimit në pushtet. Megjithatë, protestat kanë vazhduar çdo të premte duke kërkuar që edhe pjesëtarët tjerë të elitës politike të largohen nga pozitat e larta zyrtare.

Protestuesit po i kërkojnë dorëheqjet e presidentit të përkohshëm, Abdelkader Bensalah, i cili do të qëndrojë në këtë pozitë për 90 ditë deri në zgjedhjet e korrikut, dhe kryeministrit Noureddine Bedoui, i cili është caktuar në këtë pozitë nga ish-presidenti i dorëhequr pak ditë para largimit të tij nga pushteti.

Në pankartat e protestuesve shkruhej “Duhet të ikni” dhe “Hajnat e kanë shkatërruar vendin”. Policia nuk e ka publikuar shifrën zyrtare të protestuesve, por dëshmitarët kanë thënë se në protestë kanë qenë dhjetëra mijëra njerëz.

Ushtria mbetet institucioni më i fuqishëm në Algjeri, duke e lënë politikën nën hije për dekada të tëra. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ka kërkuar që të hetohen zyrtarët që dyshohen për korrupsion, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)