Kontradiktat e Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli: Njëri thotë se shkoi për konferencë, tjetri për doktoraturë

  • 03 May 2019 - 18:35
Kontradiktat e Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli: Njëri thotë se shkoi për konferencë, tjetri për doktoraturë

Kryeparlamentari Kadri Veseli, duke mohuar se është thirrur nga Tribunali Special, ka thënë se gjendet në Lubjanë për çështje të doktoratës.

Ndërsa, zëvendësi i tij në Kuvend, Xhavit Haliti, në një prononcim të mëhershëm ka treguar se Veseli i ka thënë atij se po shkon jashtë vendit për një konferencë, pa i treguar se në cilin shtet.

“Mua më ka thënë që do të shkojë në një konferencë e jo për t’u intervistuar”, ka thënë Haliti.

E para pak çasteve, Veseli mohoi se është ftuar nga Specialja, mirëpo nuk përmendi asnjë konferencë siç i ka thënë nënkryetarit të Kuvendit.

“Me cfarë morali do të nisesha diku nëse nuk do ta bëjë njoftimin publik. Kush në botë nuk më frikëson. Vetëm kombi im mund të më gjunjëzoj, të më mbaj dhe të më përkrah”, ka thënë Veseli.

Media ka mësuar sot nga burimet brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar se Veseli, përmes Lubjanës, do të shkojë në Hagë, ku do të intervistohet nga prokurorët e ZPS’së.

Derisa kabineti i Veselit fillimisht nuk janë prononcuar rreth kësaj, pas publikimit të lajmit, ata kanë mohuar se shefi i tyre do të intervistohet nga Haga, duke e quajtur të pavërtetë lajmin.

(Kosova Sot Online)