“Goditje” për Veselin dhe Halitin: Ky është dështimi kryesor...

  • 04 May 2019 - 07:31
“Goditje” për Veselin dhe Halitin: Ky është dështimi kryesor...

Kuvendi i Kosovës, i udhëhequr nga Kadri Veseli, po vazhdon me dështime në mbajtjen e seancave parlamentare. E sipas analistëve politikë, kjo legjislaturë është më e dobëta që nga paslufta.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, njëherësh ish deputet i legjislaturës së parë të pas luftës, është tepër kritik në vlerësimin e punës që bënë sidomos kjo legjislaturë e tanishme. Ai thotë se kjo legjislaturë është krejtësisht e ç’akorduar dhe madje jo profesionale dhe pa asnjë interesim për zhvillimin dhe avancimin e interesave të qytetarëve kosovarë.

“Kuvendi i Kosovës ka shumë vështirësi në drejtim të funksionimit dhe të zgjidhjes së çështjeve që i ka vendi. Në Kuvend po dalin patriotët me bateria të pozitës e të opozitës si gjoja shpëtimtar të vendit. Mu këta “shpëtimtar” flasin me patriotizëm si shpëtimtar, ndërsa nuk bëjnë as edhe një lëvizje pozitive në drejtim të shtetit të Kosovës. E tërë kjo po vazhdon me mos funksionim të Kuvendit. Seancat që po udhëhiqen nga prepotentët e kalibrit të Xhavit Halitit dhe të Kadri Veselit, po shfrytëzohen vetëm për interesat e tyre”, tha prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se edhe dështimet e tyre, Veseli dhe Haliti, mundohen të jua faturojnë të tjerëve.

“Këta kudo kundërshtojnë dhe çdo kënd e ngarkojnë me përgjegjësi ndërsa vetë janë “shpëtimtar”. E kjo po reflektohet ashpër në punën e Kuvendit. Dështimet janë në vetë udhëheqje të Kuvendit ndërsa kjo po reflektohet ashpër edhe në punët tjera. Dështimi kryesor i Kuvendit është në kontrollimin dhe në mbajtjen në përgjegjësi të pushteteve që i ka sistemi liberal dhe parlamentar. Pra Kuvendi nuk kontrollon presidentin, as qeverinë dhe as pushtetin gjyqësor. Kudo këto organe janë të pa varura. Kurrë nuk e ka thirrur z. Thaçin të japi llogari për punën në Kuvend. Ai vepron tamam si mbret i ndonjë mbretërie mesjetare. Askush nuk po mund ta kontrollon. E shkatërron vendin, lidhë marrëveshje të dëmshme dhe e dëmton rëndë shtetin dhe nuk ka përgjegjësi. Vetëm raportet me shtetin serb mjaftojnë për ta shkarkuar z. Thaçi”, deklaroi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

“E tërë kjo shprehet edhe në fushën gjyqësore. Kurrë nuk u dha përgjegjësi. Madje ministri Tahiri sillet si kapedan fushe. Për fat të keq kështu është në të tëra fushat. Krejt kjo e ka bërë Kuvendin jo funksional dhe të pa përgjegjshëm. E përgjegjës është vetë udhëheqja e Kuvendit. Sistemi juridik ka dështuar tërësisht dhe Kuvendi nuk merret me të. Ka dështuar krye prokurori dhe Kuvendi nuk kërkon shkarkimin e kryeprokurorit. Bëhen skandale dhe përgjegjësit harrohen, sikundër u bë me ish drejtorin e Policisë. Gjykatat janë keq e më keq. Ka gjyqtar skandaloz, të pa përgatitur dhe shumë të dëmshëm e Kuvendi heshtë”, u shpreh Kelmendi.

Për fund, Kelmendi ia adreson përgjegjësinë Kuvendit edhe për skandalin e fundit në fushën e arsimit në Kosovë.

“Por kulmi i të këqijave që Kuvendi kurrë nuk mundë të ju ikë nga përgjegjësia është edhe arsimi në Kosovë. Kjo duket për çdo ditë. Bëhen keqpërdorime të mjeteve financiare dhe prokuroria heshtë. Mjafton vetëm rasti i dërgimit të 200 vetave me nga 60 Euro në Durrës për një hetim. Në arsim nuk ka asnjë lëvizje pozitive. Në ministri nuk funksionon asnjë organ. Punohet si në shtëpi kur i zoti i shtëpisë ka bërë çka ka dashur”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)