Trump synon dëbimin e imigrantëve që shfrytëzojnë beneficionet publike

  • 04 May 2019 - 12:04
Trump synon dëbimin e imigrantëve që shfrytëzojnë beneficionet publike

Administrata e presidentit Trump është duke e shqyrtuar ndryshimin e politikës afatgjate për ta lehtësuar dëbimin e imigrantëve legalë, të cilët janë banorë të përhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe të cilët përfitojnë beneficione publike.

Sipas draft-rregullores së Departamentit të Drejtësisë, autoritetet do të kenë të drejtë t’i dëbojnë shumë kategori të njerëzve që shfrytëzojnë beneficione publike, përfshirë asistencën sociale dhe përfitimet tjera.

Ndonëse plani është në fazën fillestare, ai mund të mos hyjë në fuqi dhe mund të përballet me shumë sfida ligjore. Ai është pjesë e përpjekjeve të administratës së Trumpit për t’i ashpërsuar rregullat e imigrimit.

Ndikimi i plotë i këtij plani mbetet i panjohur, por ndryshimi i politikës mund t’i prekë banorët e përhershëm, të njohur ndryshe edhe si mbajtës të kartelës së gjelbër. Ata kanë të drejtë aktualisht t’i shfrytëzojnë përfitimet publike pak kohë pas ardhjes në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe refugjatët.

Zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë, Alexei Woltornist, tha se nuk i komenton dhe nuk i konfirmon draft-rregulloret. Sipas rregullores së vitit 1948, dëbimi i imigrantëve për shkak të përfitimeve publike është i kufizuar vetëm në rastet kur përfituesi nuk e ka paguar shumën e kërkuar nga autoritetet, shkruan “Reuters".

(Kosova Sot Onlne)