Kërkohet Gjykatë Ndërkombëtare për krimet serbe

  • 04 May 2019 - 13:52
Kërkohet Gjykatë Ndërkombëtare për krimet serbe

Institucionet e Kosovës po paralajmërojnë nisjen e procedurave për themelimin e një gjykate apo siç po quhet, Tribunali për gjykimin e krimeve serbe në Kosovë.

Kohë më parë, ishte paralajmëruar themelimi i një departamenti në Kosovë që do të merrej me rastet e dyshuara të krimeve të luftës, ndërkohë që së fundit, po flitet edhe për tribunal ndërkombëtar, pavarësisht faktit se një kompetencë të tillë e ka vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Për 186 masakra të kryera në Kosovë e për mijëra të vrarë nga forca serbe gjatë viteve 1998-99, institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ky tribunal, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, do të jetë ndërkombëtar dhe do të gjykojë të gjithë ata që kryen krime në Kosovë. Sipas tij, krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë, janë të përmasave të gjenocidit.

“Kjo gjykatë është e mundur, është e domosdoshme, ka për të ndodhur, do të ndodh. Fundi në këtë proces ka vetëm një qëllim, drejtësi dhe të ardhme e pajtim”, tha Veseli.

Veseli, thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar t’i hetojë krimet serbe, sepse heshtja siç u shpreh ai, “ndaj dëshmive dhe dëshmitarëve është falje e heshtur për kriminelët”.

“Ne kemi besuar tek e vërteta. Fatkeqësisht, kanë kaluar dy dekada dhe pak, ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim. Tribunali i Hagës, i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Millosheviçit. Për atë sa edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, nuk e ka bërë punën e saj që është dashur ta bënte”, tha Kadri Veseli.

Përveç partive opozitare në Kosovë, për këtë iniciativë Kadri Veseli ka edhe përkrahjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se është i mirëseardhur krijimi i një Tribunali Ndërkombëtar që do të gjykonte krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Është mirë që kryeparlamentari Veseli tashmë ka dhënë propozimin për nxjerrjen e një rezolute nga Kuvendi i Kosovës, që dënon gjenocidin në mënyrë që në të ardhmen drejtësia, edhe pse e vonuar, t’i dënoj të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Jo të ketë drejtësi selektive në baza etnike dhe jo të amnistohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi tha po ashtu se e çmon lartë iniciativën e Kongresit Amerikan, për të dëgjuarrrëfimet e gjenocidit të Serbisë të kryera në Kosovë.

Mirëpo Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, tha se nuk mund të krijohet një Tribunal ndërkombëtar me iniciativa të tilla, kur dihet që tribunalet ndërkombëtare, krijohen nga OKB-ja. Bakaj tha për Radion Evropa e Lirë se këto iniciativa janë të ngutshme dhe me veprime të tilla, nuk mund të sillet drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe familjet e tyre në Kosovë.

“Pothuajse është e pamundur që me një rezolutë të tillë të iniciohet themelimi i çfarëdo tribunali, e aq më pak të një tribunali ndërkombëtar. Dihet që tribunalet ndërkombëtare krijohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, dhe kjo ka qenë praktika edhe në krijimin e tribunalit penal për ish-Jugosllavinë në Hagë. Vështirë që të pritet që do të themelohet një Gjykatë, e aq më pak një Gjykatë e cila do të gjykonte vetëm krimet serbe të kryera në Kosovë”, tha Blakaj.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Ndërkaq, të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilat njihen edhe si Gjykata Speciale. Aty po hetohen krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, të cilat pretendohen se janë kryer nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 deri më 2000. Selia e saj gjendet në Hagë të Holandës.

(Kosova Sot Online)