Astronomët: Vrima e zezë mund ta ketë “përpirë” një yll

  • 04 May 2019 - 14:07
Astronomët: Vrima e zezë mund ta ketë “përpirë” një yll

Astronomët kanë thënë se një vrimë e zezë mund ta ketë “përpirë” një yll dhe se këtë e kanë hetuar për herë të parë në mënyrë shkencore.

Valë të shumta gravitacionale, për të cilat shkencëtarët thonë se mund të jenë shkaktuar nga futja e yllit në vrimën e zezë, janë vërejtur duke u këputur nëpër hapësirë.

Astronomët që punojnë në qendrat vëzhguese “Ligo” dhe “Virgo”, të cilat ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe Itali, e kanë hetuar këtë ndryshim në gjithësi.

Astronomët në mbarë botën tashmë i kanë përqendruar vrojtimet e tyre në hapësirën e gjithësisë ku besohet se ka ndodhur bashkimi i yllit me vrimën e zezë. Ky vend ndodhet rreth 1.3 miliardë vjet drite larg planetit tonë.

“Për fat të keq, sinjali është goxha i dobët. Është sikur ta dëgjoni dikë duke pëshpëritur në një kafene plot me njerëz. Nevojitet kohë për të arritur në përfundim për këtë gjetje”, tha profesori i fizikës në Universitetin e Wisconsinit.

Qendrat e vëzhgimit në Shtetet e Bashkuara dhe Itali u rikthyen në funksion pas disa riparimeve që u bërë më 1 prill. Ato punojnë përmes vëzhgimit të valëzimeve të vogla në hapësirë, të cilat rrjedhin nëpër gjithësi kur dy objekte masive ndeshen mes vete, shkruan “Independent”

(Kosova Sot Online)