“S’do më shohësh më gjallë”, flet babai i djalit që vrau veten pas sherrit me gruan: Nuk e besoj, atë…

  • 04 May 2019 - 16:00
“S’do më shohësh më gjallë”, flet babai i djalit që vrau veten pas sherrit me gruan: Nuk e besoj, atë…

 

Babai i të riut që u vetëvra dy ditë më parë në Klos, e ka pasur të vështirë të pranojë ngjarjen, duke hedhur dyshime se i biri mund të jetë vrarë.

Megjithatë, burime nga Policia thanë se është zbardhur ngjarja dhe nga të dhënat e deritanishme, rezulton se 31-vjeçari Arjan Hoxha është vetëvrarë, duke përjashtuar paraprakisht dyshimet se mund të ishte qëlluar nga dikush tjetër. Vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë, në fshatin Plani i Bardhë ka mbërritur babai i viktimës A.Hoxha dhe daja i tij. Pranë trupit të pajetë të të birit, ai ka gjetur dhjetëra efektivë policie, oficerë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, si dhe banorë të fshatit.

I përlotur për humbjen e madhe, ai është shprehur: “Nuk ka mundësi që djali im të ketë vrarë veten, me siguri dikush e ka qëlluar”. Efektivët e Policisë janë përpjekur ta qetësojnë babanë dhe dajën e viktimës dhe janë shprehur se duhet të kenë besim, pasi gjithçka do të zbardhet nga grupi hetimor i çështjes. Trupi i pajetë i Hoxhës, mbrëmjen e së enjtes, është dërguar në morgun e Spitalit Bashkiak Mat.

 

Kërkesës së babait të Arjan Hoxhës i është përgjigjur pozitivisht grupi hetimor. Është kërkuar ndihmë pranë Ministrisë së Brendshme dhe ekspertë të Kriminalistikës kanë kryer këqyrjen e trupit të 31-vjeçarit. Në përfundim të aktekspertizës është konstatuar se viktima ka vrarë veten me një plumb. “Arjan Hoxha është vetëvrarë me një plumb. Ai ka qëlluar vetën në gojë me një automatik ‘Kallashnikov’. Plaga ka tejshpuar kokën, duke e lënë të vdekur në vend. Në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune”, shprehen burime nga grupi hetimor.

POLICIA

Burime pranë Komisariatit të Matit saktësojnë se janë pyetur shumë dëshmitarë, që kanë parë dhe dëgjuar sherrin e nisur në shtëpinë e familjes Ndoj. Një zyrtar vendor i Policisë tha se në momentin kur Arjan Hoxha ka mbërritur në shtëpinë e bashkëshortes, në banesë janë ndodhur vetëm katër vajza të vogla, nga 3 deri në 16 vjeçe. Ato kanë përjetuar momente frike dhe ankthi.

Image

“Në momentin kur Arjani ka hyrë në banesë me armë në dorë, bashkëshortja dhe vajzat kanë shpërthyer në ulërima. Fqinjët kanë kuptuar se diçka e rëndë po ndodhte në atë familje. Ato i kanë telefonuar Policisë së Klosit”, sqarojnë burime të Policisë. Menjëherë, drejt vendit të ngjarjes janë nisur efektivë të Policisë Klos, Mat dhe Bulqizë. Ato kanë rrethuar vendin e ngjarjes, por nuk i janë afruar shumë banesës ku raportohej ngjarja.

VENDNGJARJA

Mësohet se pranë trupit të viktimës ka mbërritur i pari një efektiv i Komisariatit të BulqizëS. Ai ka njoftuar me celular kolegët, duke u thënë se kishte gjetur një person të vrarë, pranë një peme. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes thanë se Arjan Hoxha mbante në dorë një automatik dhe pranë iu gjet një unazë (mendohet se ia kishte hequr bashkëshortes pak minuta para se sa të vriste veten), një qese me duhan, celulari dhe sende të tjera personale. Të gjitha këto janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Policia saktëson se vjehrra e viktimës nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes, pasi ishte në spitalin “Xhavit Mara”, për t’u kuruar, sepse dy ditë më parë, gjatë zënkës me dhëndrin e saj, Arjanin, ai i kishte dëmtuar me thikë tre gishta të dorës së majtë.

(Kosova Sot Online)