Pastrimi i shteti nga mafia dhe krimi i organizuar, vetëm me VETTING të përkrahur fuqimisht nga FBI-ja

  • 05 May 2019 - 10:52
Pastrimi i shteti nga mafia dhe krimi i organizuar, vetëm me VETTING  të përkrahur fuqimisht nga FBI-ja

Funksionimi i krimit të organizuar në Kosovë, jo vetëm sipas raporteve ndërkombëtare, por edhe sipas ekspertëve vendor, është duke funksionuar pothuajse krejtësisht legalisht, madje pa pasur kurrfarë frike nga ligji dhe sundimi i ligjit. Kështu ka thënë për “Kosova Sot Online” edhe eksperti i fushës së sigurisë Naim Miftari. “Po e them këtë pasi vetë sistemi i drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit janë të futura nën kontrollin e mafies ku politikanët e korruptuar janë vetë bosët e krimit të organizuar”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Kjo gjendje e kapjes së thellë të shtetit nga rrjetet kriminale, sipas Miftarit, e imponon domosdoshmërinë dhe urgjencën e bërjes dhe zbatimit të shpejtë dhe nën masa të kontrollit ndërkombëtar, edhe ligjin e VETTING-ut.

“Prandaj pa një pastrim total, pa një VETTING të organeve shtetërore, atyre që kanë detyruar me zbatu ligjin dhe me mbrojtë shtetin nga dora e mafias politike, e që e njëjta përbënë vetë krimin e organizuar në Kosovë, nuk do të ketë kurrë rregull dhe rend juridik. Pa u pastruar shteti nga krimi i organizuar me një VETITNG neutral, të përkrahur fuqimisht nga Ambasadori Kosnett dhe nga FBI-ja Amerikane dhe prej hetuesve Gjerman dhe Britanez, në Kosovë kurrë nuk do të kemi gjyqësi, prokurori, polici e inteligjencë të drejtë, të pavarur ku do të sundonte vetëm ligji i njëjtë për të gjithë pa asnjë dallim”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Nëse politika e bllokon Vetingun pa kufijshëm, Miftari mendon që ndryshimet duhet të bëhen edhe me protesta të fuqishme, revoltë qytetarë ndaj sistemit të korruptuar.

“Unë mendoj se kemi dy mundësi me dal nga hendeku në të cilin jemi tani. Me një VETTING të fuqishëm përmes pastrimit të organeve të shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar ose një REVOLTE gjithë popullore ku nuk përjashtohet edhe dhuna, ose mundësia e tretë është me mbetë si shikues, e me ndejtë sikur që jemi sot, deri në pa mbarim, ku ligji mundet me dënuar vetëm qytetarin që kërkon drejtësi dhe neutralitet juridik në një shtet ku sundon mafia dhe diktatorët”, thekoi për “Kosova Sot Online”, eksperti i fushës së sigurisë Naim Miftari.

(Kosova Sot Online )