Shkollat tona po prodhojnë gjysmanalfabet me diploma!

  • 05 May 2019 - 15:39
Shkollat tona po prodhojnë gjysmanalfabet me diploma!

Fusha e arsimit si ndër prioritetet kryesore për çdo vend demokratik, në Kosovë edhe më tutje vazhdon të jetë në gjendje të brishtë, e gjithë kjo duke iu atribuar kalifateve partiake që tash e sa vite e kanë pushtuar dhe degraduar sistemin e arsimit në Kosovë.

Image

Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot Online” analisti Gani Qarri ka deklaruar se “ për dy dekada me radhë, vetëm sa u zhvatë buxheti i varfër i shtetit të Kosovës në emër të reformave në arsim, e që në fakt pati vetëm korrupsion, nepotizëm dhe politizim të arsimit dhe asnjëherë reforma të duhura e të njëmendta, për ta kapërcyer vërtetë këtë gjendje kaq të rëndë në shkollat dhe fakultetet tona, të cilat gjeneratë pas gjenerate, po prodhojnë në vazhdimësi, vetëm gjysmanalfabet me diploma. Gjatë njëzet viteve të fundit, parakusht i zhvillimit të arsimit të të gjitha niveleve në Kosovë, që nga paslufta e këtej, nuk ishte më kualiteti dhe dija, por nepotizmi, përkatësia partiake dhe paraja, apo thënë më mirë dhe shkurt e shqip-ryshfeti dhe korrupsioni”. Sipas analistit Qarri “ pikërisht ky fenomen shkatërrues u bë edhe shkaku kryesor apo paradigma determinuese që të gjithë ministrat e arsimit, njëri pas tjetrit, të dështojnë për të realizuar reforma të vërteta dhe ndryshuar rrënjësisht gjendjen e mjerë në fushën e arsimit, e cila vazhdon me avaz të njëjtë, që nga ditët e para të pas çlirimit”.

“Për dy dekada me radhë, vetëm sa u zhvat buxheti i varfër i shtetit të Kosovës në emër të reformave në arsim, e që në fakt pati vetëm korrupsion, nepotizëm dhe politizim të arsimit dhe asnjëherë reforma të duhura e të njëmendta, për ta kapërcyer vërtetë këtë gjendje kaq të rëndë në shkollat dhe fakultetet tona, të cilat gjeneratë pas gjenerate, po prodhojnë në vazhdimësi, vetëm gjysmanalfabet me diploma”, thekson analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova sot Online”. 

Arsimi në Kosovë, gjatë gjithë këtyre viteve u përdor vetëm për punësime partiake, krijim bazash politike dhe oponentë për fabrikime votash në zgjedhjet vendore, gjë që po detyron shumë të rinj, që të mos shkojnë fare në fakultet, ku jo vetëm që i zhvatin pa mëshirë, por edhe nëse arrijnë deri te diploma, ato nuk mund ti marrin me dije përveçse me para dhe njohësi, me të cilat pa ryshfete marramendëse, sërish nuk mund të punësohen dhe diploma të tilla, fatkeqësisht nuk u shërbejnë më për asgjë", ka përfunduar Qarri.

(Kosova Sot Online)