May synon të arrijë marrëveshje me opozitën për Brexitin

  • 05 May 2019 - 17:25
May synon të arrijë marrëveshje me opozitën për Brexitin

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, i ka bërë thirrje liderit të opozitës, Jeremy Corbyn, që t’i lënë anash dallimet që kanë mes vete dhe të arrijnë marrëveshje për Brexitin.

Britania e Madhe është dashur të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars, por afati i fundit është shtyrë për 31 tetor pasi deputetët britanikë e refuzuan tri herë me radhë marrëveshjen e kryeministres May me Bashkimin Evropian.

Zonja May tashmë po e kërkon mbështetjen e laburistëve për t’i siguruar votat e mjaftueshme në kuvend për marrëveshjen e saj. Përmes një shkrimi të botuar në një gazetë angleze, ajo ka thënë se politikanë duhet ta dëgjojnë atë që e kanë thënë votuesit.

Partia Konservatore, e cila udhëhiqet nga kryeministrja May, i humbi mbi 1300 ulëse në këshillet lokale, ndërsa Partia Laburiste, e cila udhëhiqet nga Corbyn, i humbi vetëm 82 të tilla.

Nga këto humbje përfituan Partia Liberale Demokratike dhe Partia e Gjelbër, të cilat e shtuan numrin e ulëseve në institucionet lokale.

Kryeministrja May e fajësoi bllokimin e procesit të Brexitit për humbjen në zgjedhjet lokale, por gjithashtu tha se këto zgjedhje do të shërbejnë si urgjencë e freskët për ta arritur sa më shpejt marrëveshjen për largimin e vendit nga BE-ja, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)