Marrëveshja Kosovë – Serbi do ta përafronte Ballkanin me BE-në

  • 05 May 2019 - 18:57
Marrëveshja Kosovë – Serbi do ta përafronte Ballkanin me BE-në

Arritja eventuale e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndikonte në një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë.

Ata thonë se çështja e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tashmë po tregon se është bërë shumë e rëndësishme edhe për shtetet apo fuqitë e mëdha.

Zgjidhja e konflikteve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga Bashkimi Evropian shihet si element kryesor në rrugën e këtyre vendeve drejt integrimit në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë mbetur të fundit në procesin e integrimeve. Pas zgjidhjes së kontestit të emrit të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, besohet se do ta përafronte gjithë rajonin me një perspektivë më të sigurtë evropiane.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë se Kosova duhet të hapë rrugë për një proces serioz, së paku nga perspektiva saj.

“Problemi Kosovë- Serbi përbën boshtin e ndërtimit të paqes dhe stabiliteti në Ballkan dhe mbetet çështja më e vështirë”, tha Rashiti.

Përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës, shpresojnë se pas takimit të paralajmëruar me 1 korrik në Paris, ku do të ketë bisedime ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e presidenti Macrom dhe kancelares Merkel, gjërat do të lëvizin përpara.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për  tha se pas takimit në Paris, mund të ketë një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, Naim Rashiti, thotë se palët në bisedime, si Prishtina ashtu edhe Beogradi, duhet të lëvizin përpara dhe të dalin nga ‘status quo’-ja aktuale.

“Gjendja aktuale tregon edhe për gjendjen reale në politikën në Serbi dhe në Kosovë, ku ka mungesë për të përfunduar dhe ndërtuar paqe. Natyrisht ka edhe elemente të tjera ku janë të përfshirë aktorët e tjerë gjithandej”,tha Rashiti, raporton rel.

Kurse, analisti Imer Mushkolaj, thotë se përveç palëve në dialog, nevojitet një shtytje nga shtetet më me ndikim në Evropë, që gjerat të shkojnë përpara pasi që Kosova dhe Serbia, siç thotë ai, për më gjatë se 10 vjet zhvillojnë bisedime, por pa rezultate të prekshme që do të premtonin edhe një marrëveshje finale.

“Po duket se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë paraqesin atë gurin e fundit në krijimin e një situate më stabile në Ballkan. Ky ka qenë edhe një nga mesazhet e samitit të Berlinit. Vet iniciativa franko- gjermane për një përkujdesje më të madhe karshi kësaj çështje e bën shumë të rëndësishme që në një periudhë optimale të ketë një marrëveshje”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj mendon se për të pasur një sukses në një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë dhe një qëndrueshmëri politike në rajonin e Ballkanit, veç shteteve të BE-së, rol të rëndësishëm duhet të ketë edhe ShBA-ja.

“Për të arritur një marrëveshje, gjithsesi duhet pritur që kjo të bëhet edhe me partneret e tjerë. Në radhë të parë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak se është vetëm një iniciativë e dy shteteve më të rëndësishme të BE-së. E kemi SHBA-në, një partner i rëndësishëm pa të cilin BE-ja në fakt nuk mund të vendosë çfarëdo qoftë, çfarë mund të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Mushkolaj.

Edhe presidenti Hashim Thaçi, ka thënës se roli i ShBA-së në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Krahas rolit lehtësues të Bashkimit Evropian në këtë proces, inkurajimi dhe mbështetja për arritjen e një marrëveshjeje, palëve u kanë ardhur muajve të fundit edhe nga vetë presidenti amerikan Donald Trump, që shprehet përmes letrës që ai u pati drejtuar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Gjermanisë e Francës, të cilat rolin e tyre e theksuan edhe në Samitin e fundit të Berlinit.

Por, aktualisht, janë vetë palët në bisedime ato që nuk kanë arritur lëvizin nga pozicionet fillestare për t’u kthyer në tavolinën e negociatave.

(Kosova Sot Online)