Papa në Ballkan – për të nderuar Nënë Terezën dhe për t’i përmirësuar raportet me ortodoksët

  • 05 May 2019 - 19:17
Papa në Ballkan – për të nderuar Nënë Terezën dhe për t’i përmirësuar raportet me ortodoksët

Papa Françesku filloi sot një udhëtim tre ditor në Bullgari dhe Maqedoni të Veriut, ku pritet të bëjë hapje të reja drejt të krishterëve ortodoksë dhe të nderojë Nënë Terezën.

Në një “tweet” të së shtunës, papa tha se “po fillonte këtë udhëtim si një pelegrin i paqes dhe vëllazërisë”.

Pasi të mbërrijë në Sofje, Françesku do të takohet me liderin e kishës ortodokse bullgare, patriarkun Neophyte dhe do të lutet në Katedralen Ortodokse.

Të hënën, papa pritet të vizitojë një kamp refugjatësh dhe të shkojë për në Rakovski, rreth 160 kilometra në juglindje të Sofjes, për një meshë ku do të bëjë edhe kungimin e parë për më shumë se 200 fëmijë, para se të rikthehet në kryeqytet që të marrë pjesë në lutje ndërfetare për paqen.

Të martën Françesku do të shkojë në Shkup, Maqedoni të Veriut, ku do të vizitojë një vend të shenjtë për Nënë Terezën, e cila kishte lindur në këtë qytet në 1910 dhe ku do të takohet me njerëz të varfër për të cilët kujdesen murgeshat e Misionit Nënë Tereza.

Papa Françesku e shpalli shenjtore Nënë Terezën në vitin 2016.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut janë mes kombeve më të varfra të Europës dhe kanë komunitete të vogla katolike. Madje, Maqedonia e Veriut së fundmi ka mbyllur një konflikt mbi emrin  e saj me Greqinë dhe shpreson të përparojë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. 

(Kosova Sot)