Akuza e rradhës: Shtetin po e udhëheqin pazarxhinjët dhe matrapazët

  • 06 May 2019 - 07:41
Akuza e rradhës: Shtetin po e udhëheqin pazarxhinjët dhe matrapazët

Vazhdimi i reagimit të ashpër të Ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, për secilin hap të ndërmarrë në kundërshtim me ligjin nga institucionet kryesore në Kosovë , sipas analistit Gani Qarri, tregon më së miri se cili është niveli i zbatimit të ligjit në Kosovë dhe sa respektohen ligjet dhe kushtetuta në këtë shtet me institucione akoma tepër të brishta. Sikur që dihet Ambasadori Kosnett ka kritikuar së fundi tri veprime konkrete që nuk I shërbejnë shtetit të së drejtës: nga drejtësia, politika dhe policia. Ai madje e ka kundërshtuar edhe emërimin e Sylejman Selimit ambasador, e ka kritikuar edhe hedhjen poshtë të aktakuzës për gaz lotsjellës para dy vjetëve në Kuvend, nga opozita e atëhershme e përbërë nga Vetëvendosje, AAK e Nisma.

Analisti politik Gani Qarri tha për “Kosova Sot Online” se është plotësisht e kuptueshme që qytetarët të jenë kaq thellësisht të dëshpëruar me deputetët kosovarë, të cilët kanë bërë që edhe Kuvendi si organi më i lartë legjislativ i këtij shteti, të lejojë, pazarxhinjët dhe matrapazët aktual të luajnë me jetët e tyre, tokat e vendit dhe shtetësinë e Kosovës, sepse pushtetarët aktual me në krye krye kuislingun Hashim Thaçin janë kthyer në pazarxhinjtë më të mëdhenj të trojeve shqiptare, i cili bashkë me oligarkët dhe kriminelët që e rrethojnë, i përdorin ato si të duan ata vet dhe bëjnë tregti me tokat e Kosovës, sikur ato t`i kishin trashëgimi nga baballarët e tyre. “Kështu që, megjithëse sot Kosova ua kalon edhe shteteve afrikane me kërkesat për viza dhe ikjet nga vendi përkundër të gjithave, ende askush nuk kërkon shkarkimet e Thaçit & CO, nga pozitat e larta që ata mbajnë, madje as Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili vijon të reagojë për secilin hap të ndërmarrë në kundërshtim me ligjin dhe të drejtën kushtetuese nga institucionet kryesore në Kosovë”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, Ambasadori amerikan duhet të jetë akoma më i ashpër, të kërkon edhe dorëheqjet. Lagimin nga pozita të përgjegjësve për shkelje ligji. “Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, njëjtë siç ka reaguar më herët kundër emërimit të Naser Shalës drejtor të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe verifikimit të Pronës, tani kundërshton edhe emërimin e Sylejman Selimit ambasador, ai kritikoi po ashtu hedhjen poshtë të aktakuzës për gaz lotsjellës para dy vjetëve në Kuvend, nga opozita e atëhershme e përbërë nga Vetëvendosje, AAK e Nisma, por nuk kërkon edhe largimin e pushtetarëve të kriminalizuar nga pushteti, shkaku i të cilëve, po ikin gjithnjë e më tepër të rinjtë nga Kosova.

Ndaj është shumë e habitshme se si, jo vetëm deputetët që tanimë janë familjarizuar me nepotizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, por me gjithë arsyet e forta për ta rrëzuar përfundimisht këtë udhëheqje kriminale, as z. Kosnett nuk kërkon largimin e pushtetarëve të kriminalizuar nga pushteti dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, jo më-me të njëjtit politikan, por me figura të reja politike e profesionale, para se të dalim para dyerve të oborreve tona të zbrazura nga rinia dhe të mallkojmë autobusët dhe trenat për bartjen e tyre, me këngën vajtuese : O mor pampur, tu këputshin telat”, tha analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )