Vendimet e institucioneve, korruptive dhe favorizuese për grupet e interesit

  • 06 May 2019 - 07:47
Vendimet e institucioneve, korruptive dhe favorizuese për grupet e interesit

Pas reagimit të Ambasadorit Amerikan, emërimet e kundërligjshme, shkeljet e ligjit nga politika dhe lidhjet me krimin e organizuar, ka folur për “Kosova Sot Online” edhe ish kreu i AKK-së Hasan Preteni, i cili thotë madje se mbikëqyrja amerikane duhet të vihet edhe tek miratimi i ligjeve, që asnjë ligj të mos hyj në fuqi pa u certifikuar nga ekspertët amerikan, ngase edhe në fushën e bërjes së ligjeve ka instrumentalizim të interesave të grupeve të caktuara.

“Po, kjo është edhe një dëshmi se shumica e vendimeve që i marrin institucionet e vendit, janë jo etike, jo ligjore dhe favorizuese për një pjesë të pushteteteve shumëvjeçare te Kosovës. Kjo është situata e mjerueshme, në vend që të ecim vetëm drejt forcimit të shtetit, qytetari i Kosovës po lutet që Ambasada Amerikane të certifikoj të gjitha ligjet dhe vendimet që i marrin zyrtarët e Kosovës. Për përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë është angazhuar Ambasada Britanike për këto emërimet dhe vendimet joligjore po reagon Ambasada Amerikane”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”. Po ashtu ai tani e shton edhe pyetjen se për çka po i shpenzojnë paratë publike këta keqbërësit tonë, për vendimet që shumica janë korruptive dhe favorizuese për grupet e interesit.

“Projektet infrastrukturore, shpenzimet për përvjetorë të ndryshme, emërime politike e jo meritokrate. Probleme rreth çlirimtarëve, probleme rreth pagave, probleme rreth emërimeve e kabineteve Kineze,shpenzime për automjete e luks te pakontrolluar. Amerika me aleatë na ndihmoj në çlirim e në pavarësim por askush nuk e ka pritur se do të kemi edhe probleme në mikro menaxhim. Shumë keq, nuk ishim të aftë të bëjmë lirinë , nuk e bëmë as pavarësinë, e tani nuk po e menaxhojmë as pavarësinë.

Jemi me fat që e kemi mbështetjen e fuqive më të mëdha botërore por jemi shumë , shumë keq që qytetari i vendit nuk po e ka fuqinë që të reagon dhe përzgjedhë të pa korruptuarit në pushtet. Po shitemi për një certifikate veterani, për një pozitë zv, ministri, koordinatori apo anëtari i një komisioni. Nuk është çudi që po ikë inteligjenca”, theksoi Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )