Nga ultimatumi i Serbisë, akuzat për kontrabandë dhe përplasjet politike në Kosovë

  • 06 May 2019 - 15:20
Nga ultimatumi i Serbisë, akuzat për kontrabandë dhe përplasjet politike në Kosovë

Që nga nëntori i vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, në mbi 200 raste janë kapur mallra të kontrabanduara nga Serbia dhe Bosnja. Krejt këto ndodhën në pjesë të ndryshme të kufirit ndërsa brenda vendit u kryen mbi 150 aksione kontrolli, me qëllim për t’u gjetur mallrat e kontrabanduara. Ndërkaq Serbia sot përfundon ultimatumin ndaj Kosovës për heqjen e taksës, e Presidenti tha ditë më parë se asaj nuk iu bë asnjë dëm, duke shtuar se taksa vetëm sa ndikoi në rritjen e kontrabandës në vend.

Për 6 muaj në Kosovë, që nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës nga Qeveria e Kosovës, janë ndërmarrë mbi 1000 aktivitete të patrullimit në zonat e dyshuara.

Në krejt këto aktivitete, Dogana e Kosovës ka arritur të kapë në 230 raste të kontrabandimit të mallrave serbe dhe boshnjake.

Në një përgjigje zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha se është vendosur në sistemin doganor masa mbrojtëse 100% dhe janë rritur kapacitetet e kontrollit në vendkalimet kufitare në Kosovë.

Megjithatë, kontroll më i veçantë iu është bërë të gjitha dërgesave nga Serbia dhe Bosnja.

“Janë kontrolluar 100% e të gjitha dërgesat nga Serbia dhe Bosnja, pa dallim te vendit të origjinës”, tha Stavileci.

Me vendosjen e taksës ndaj këtyre dy shteteve, është rritur edhe numri i ekipeve anti-kontrabandë, me operim 24 orë në zonat ku dyshohet se ka tentim të kontrabandës me mallra, e veçanërisht në rajonin e Mitrovicës.

Stavileci tha se këto njësi të anti-kontrabandës kanë ndërmarrë mbi 100 aktivitete patrulluese në zonat e dyshuara, ku ka rezultuar me mbi 230 raste të zbulimit të kontrabandës me mallra.

6 maji, sot, është dita e fundit e ultimatumit të vënë nga Serbia ndaj Kosovës për heqjen e taksës, e nëse Kosova nuk zmbrapset, sipas presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të ketë masa të ashpra ndaj vendit.

E Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mendon se nuk iu është bërë edhe aq dëm Serbisë për shkak të taksës, sepse mallrat e tyre po vazhdojnë kontrabandohen për në Kosovë.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandat Vuçiq, nuk është shumë i shqetësuar për vendosjen e taksës sepse mallrat serbe po futen në Kosovë dhe nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, në formë të kontrabandës”, ka thënë javën e kaluar Thaçi.

Nga Dogana e Kosovës thonë se pavarësisht kontrollimeve në zonat kufitare, kontrabandë ka edhe brenda shtetit.

Prej kur është vendosur taksa në nëntor të vitit të kaluar, në dyqanet në Kosovë ka ende produkte të Serbisë e Bosnjës. Këtë e konfirmon vetë Dogana.

Rreth 166 aktivitete kontrolli janë ndërmarrë në dyqane nga Dogana e Kosovës, ku në fokus ishin pikërisht mallrat e kontrabanduara.

“Sektorët relevant të Doganës kanë rritur kontrollin tek subjektet ekonomike edhe në brendi të vendit, ku janë ndërmarrë rreth 166 aktivitete kontrolli në lokacionet e subjekteve tregtare. Kontrollet janë kryer me fokus në mallra të kontrabanduara”, tha Stavileci.

Para vendosjes së taksës, vlera e importeve ditore në Kosovë ishte nga 1.2 milionë deri në 1.4 milionë, ndërsa tani është 7 mijë deri në 8 mijë euro që do të thotë se ka ulje 99% në importin e rregullt.

Fillimisht, më 6 nëntor 2018 kishte filluar të aplikohet taksa prej 10 për qind, ndërsa dy javë më pas e njëjta ishte ngritur në 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake.

E Serbia për shkak të humbjeve të mëdha financiare, të cilat përgjatë kësaj periudhe vlerësohet se kanë arritur shumën prej rreth 100 milionë eurosh, është rritur edhe presioni ndërkombëtar ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj për heqjen ose pezullimin e saj me arsyetimin se ka bllokuar dialogun në Bruksel.

Sot, më 6 maj u bënë 6 muaj prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 10 për qind ndaj mallrave serbe, taksë kjo e cila dy javë më pas, përkatësisht më 21 nëntor, u ngrit në 100 për qind.

(Kosova Sot Online)