Haradinaj takohet me Istrefin – nuk tregojnë çka do të veprojnë me milionat që kërkojnë Devollët

  • 06 May 2019 - 15:55
Haradinaj takohet me Istrefin – nuk tregojnë çka do të veprojnë me milionat që kërkojnë Devollët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u takua sot me drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefin

Përmes Facebook-ut, Haradinaj ka shkruar se me Istrefin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në këtë kompani si dhe për obligimet financiare që ka kjo ndërmarrje, duke përfshirë edhe kontratën me Z-Mobile.

Kryeministri tutje ka bërë të ditur se qeveria do të angazhohet për qendrueshmërinë biznesore dhe financiare të Telekomit.

Mirëpo, i pari i Qeverisë nuk ka dhënë më shumë detaje, derisa ende nuk dihet se çka është vendosur me borgjin që kanë kërkuar kompania Z-Mobile të ju jepet brenda javës.

Në agjendën e kryeministrit Ramush Haradinaj sot nuk ishte paraparë një takim i tillë, mirëpo nga PTK që prej marrjes së letrës nga Z-Mobile kanë kërkuar takim me Qeverinë e Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në mënyrë që t’i ndihmojnë që ndërmarrja të mos shkojë drejt falimentimit.

Nga sindikata e PTK-së sot në një prononcim për media, kanë paralajmëruar edhe protesta në rast se nuk gjendet një zgjidhje.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.

Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.

E në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

 

Prita në takim drejtorin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës Bedri Istrefi, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit...

Posted by Ramush Haradinaj on Monday, May 6, 2019

Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë eurove.

(Kosova Sot Online)