Shefi i NATO-s viziton Turqinë në kohën e tensioneve për sistemin rus

  • 06 May 2019 - 16:33
Shefi i NATO-s viziton Turqinë në kohën e tensioneve për sistemin rus

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po e viziton Ankaranë në kohën kur janë rritur tensionet mes Turqisë dhe aleancës ushtarake për shkak të planit turk për blerjen e sistemit raketor rus.

Stoltenberg tha se e ofroi mbështetjen e tij për dialog të vazhdueshëm mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara për sistemin raketor rus “S-400”. Këto komente ai i bëri gjatë një interviste për agjencinë shtetërore të lajmeve në Turqi, “Anadolu”.

Ai gjithashtu i mirëpriti bisedimet për blerjen e mundshme të sistemit raketor amerikan “Patriot” nga Turqia, duke lënë të kuptohet se ai do të kërkojë nga udhëheqësit e Turqisë që ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre për sistemin raketor rus.

“Vendimet për furnizimet e ushtrisë merren nga vetë shtetet, por mundësia për ndërveprim të forcave tona të armatosura është jetike për NATO-n për kryerjen e operacioneve dhe misioneve tona”, tha Stoltenberg.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë disa herë se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga marrëveshja me Rusinë për blerjen e sistemit raketor “S-400”, pavarësisht rritjes së presionit nga Uashingtoni dhe NATO-ja.

Uashingtoni ka paralajmëruar se Turqia me këtë qëndrim po e rrezikon veten nga përjashtimi i programit për aeroplanë luftarakë të tipit “F-35”. Përndryshe, Turqia është pjesë e konsorciumit të përfshirë në prodhimin e këtij aeroplani dhe blerëse e tij, shkruan “Free Europe"

(Kosova Sot Online)