Kompania hetohet për 19 vetëvrasjet e punëtorëve të saj

  • 06 May 2019 - 17:04
Kompania hetohet për 19 vetëvrasjet e punëtorëve të saj

Kompania kryesore franceze për telefoni mobile dhe internet, “Orange”, dhe ish-shefi i saj ekzekutiv do të dalin para gjyqit për shkak të numrit të madh të vetëvrasjeve të punëtorëve të kësaj kompanie para një dekade.

Brenda një periudhe trevjeçare, 19 punëtorë të kompanisë “Orange” bënë vetëvrasje, 12 të tjerë bënë tentime për vetëvrasje dhe tetë punëtorë u diagnostikuan me depresion të nivelit të lartë.

Të hënën, një gjykatë e Parisit e nisi procesin gjyqësor që është pritur gjatë, duke e akuzuar gjigantin e telekomunikimit dhe shtatë menaxherë dhe ish-menaxherë për shkelje morale dhe akuza të lidhura me këto shkelje.

Kompania që atëherë quhej “France Telecom” ishte duke përjetuar zvogëlim të vendeve të punës dhe po bënte përpjekje për modernizim në kohën kur ndodhën këto vetëvrasje.

Ish-shefi i kompanisë “France Telecom”, Didier Lombard, do të dalë në gjyq bashkë me ish-drejtorin e burimeve njerëzore, Olivier Barberot dhe ish-zëvendësdrejtorin ekzekutiv, Louis-Pierre Ëenes, në rastin më të madh gjyqësor për shkelje të rregullave morale brenda një kompanie.

Personat e akuzuara nga drejtësia franceze dyshohen për vështirësim të kushteve të punës së personelit, rrezikim të të drejtave dhe dinjitetit të tyre dhe ndryshim të shëndetit fizik ose mendor.

Shkeljet e rregullave morale në Francë janë të dënueshme me një vit burgim dhe gjobë prej 15 mijë eurosh. Në gjyq do të paraqitet edhe kompania me emrin e ri dhe gjykata mund të japë urdhër për dëmshpërblim të secilit person të dëmtuar në këtë rast, shkruan “Independent”

(Kosova Sot Online)