Kush e nisi krejt “muhabetin” e PTK’së me Devollët sipas deputetëve?

  • 07 May 2019 - 11:47
Kush e nisi krejt “muhabetin” e PTK’së me Devollët sipas deputetëve?

Një listë e gjatë ku bëjnë pjesë edhe krerët e shtetit do të raportojnë para deputetëve  lidhur  me kontratën e Telekomit me Z-Mobile që brenda javës mund ta qojë drejt falimentimit PTK-në, nëse nuk gjendet një zgjidhje

Komisioni Hetimor parlamentar derisa po diskutonin për këtë temë, kanë shqyrtuar e miratuar edhe listën e dëshmitarëve që do të dëgjohen, derisa intervistimi do të nisë nga kjo e premte.

Lista që është bërë publike, nis me dy krerët e shtetit, kryeministrin, Ramush Haradinaj, e presidentin e Kosovës Hashim Thacin, derisa është propozuar edhe lideri i LDK-së, dikur kryeministri Isa Mustafa.

Gjithashtu do të raportojnë edhe ish-ministrat e ministri aktual.

“Fatmir Limaj, Besim Beqaj, Fadil Ismaili (ish-ministra), si dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka”.

Deputetët gjatë mbledhjes kanë qenë shumë të zëshëm sa i përket dy ish-udhëheqësve të PTK-së. Janë përmendur Adnan Merofci e Shyqeri Haxha, ish-drejtorë ekzekutiv, ndërkaq në listë figurojnë edhe Ejup Qerimi, Gent Begolli, Trim Musliu e kryetari aktual, Bedri Istrefi.

Lista e personave qe do te deshmojne ne komision

Në mbledhjen e sotme të Komisionit, deputetja Albulena Haxhiu ka kërkuar nga deputetët votat për thirrje të seancës së jashtëzakonshme ku do të diskutohet për këtë temë.

Komisioni Hetues gjithashtu u dakordua që gjendjen në Telekom të ia paraqet Zyrës Ligjore të Kuvendit të Kosovës.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefit, që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.

Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.

Në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

Image

Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë euro.

Kryeministri Ramush Haradinaj dje është takuar me Istrefin, teksa përmes një shkrimi në Facebook, tha se kanë diskutuar për gjetjen e një zgjidhje.

(Kosova Sot Online)