Anulohet takimi Pompeo-Merkel

  • 07 May 2019 - 16:49
Anulohet takimi Pompeo-Merkel

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e ka anuluar në mënyrë të papritur planin e pritur gjatë për bisedime me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në Berlin. Ai ka thënë se këtë anulim e ka bërë për shkak të çështjeve të sigurisë ndërkombëtare.

Ndryshimi i planit për takim në minutën e fundit erdhi pas takimit të shkurtër të sekretarit Pompeo me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavror, në kuadër të takimit të Këshillit të Arktikut në Finlandë të hënën.

Gazetarët që ishin duke udhëtuar me Pompeon nuk u informuan se ku ishin duke shkuar përpos Berlinit. Ekipi i Pompeos tha se ata mund të mos jenë në gjendje ta tregojnë destinacionin e ardhshëm derisa të largohen nga vendndodhja aktuale. Merret vesh që aeroplani i tyre është nisur drejt lindjes.

Pompeo e telefonoi ministrin e jashtëm gjerman, Heiko Maas, për t’ia sqaruar vendimin për anulim të vizitës së tij të parë në Berlin si sekretar shteti dhe i premtoi se do ta bëjë një vizitë tjetër së shpejti.

Burimet britanike dhe amerikane thanë se anulimi i vizitës në Berlin nuk nënkupton që do të anulohen edhe bisedimet e planifikuara të Pompeos me kryeministren britanike, Theresa May, dhe sekretarin e jashtëm, Jeremy Hunt.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me paralajmërimin e Iranit për tërheqje të pjesshme nga traktati për armët bërthamore. Dy çështje tjera të sigurisë ndërkombëtare që mund ta shqetësojnë Pompeon janë programi raketor i Koresë Veriore dhe sulmet e mundshme ruse në Idlib të Sirisë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)