Devollët kanë kërcënuar me përmbarues për t’i marrë 26 milionët – Telekomi ka edhe 2 ditë afat

  • 07 May 2019 - 18:17
Devollët kanë kërcënuar me përmbarues për t’i marrë 26 milionët – Telekomi ka edhe 2 ditë afat

Edhe dy ditë i kanë mbetur kohë Telekomit të Kosovës që të gjejë një zgjidhje sa i përket milionave që i kanë kërkuar Devollët. PTK mund të përfundojë te përmbaruesit nëse brenda afatit që ka dhënë Z-Mobile nuk deklarohet se a do të paguajë shumën vullnetarisht. Situata ka alarmuar opinionin, mirëpo, deri më tani nuk është gjetur zgjidhje.

Një letër e dërguar për kryeshefin e Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefin, nga kompania Z-Mobile e Devollëve, ka alarmuar organet e shtetit.

Aty saktësohet se kjo kompani ka vetëm dy javë kohë për të kryer borxhin prej 25 milionë e 900 mijë euro ndaj Z-Mobile, në të kundërtën do të vazhdohet me procedura të përmbarimit.

Duke shkruar se vonesa në pagesë më së shumti i bënë dëm Telekomit, nga Z-Mobile kanë bërë të ditur se do të fillojnë procedurat e përmbarimit për të cilat kanë saktësuar në letër se janë shumë të kushtueshme.

Ky ultimatum i Devollëve, ka alarmuar drejtuesit e Telekomit, të cilët kanë bërë të ditur se nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë, mbi 3800 kosovarë do të mbesin në rrugë, ndërkaq, ndërmarrja do të falimentojë.

Nga Telekomi kanë kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës, e për këtë edhe kanë mbajtur takime. Por, kjo si duket nuk ka patur rezultat.

Qeveria e Kosovës  të kontaktuar nga media nuk ka bërë të ditur se çfarë marrëveshje apo premtimi ka dhënë kryeministri Ramush Haradinaj për krye shefin e Telekomit në takimin që patën dje.

Në publikimin që dje bëri Haradinaj në Facebook, shkruhet vetëm se po punohet që të gjendet një zgjidhje që mendohet të jetë adekuate.

Image

Sot gjatë ditës ndërkaq krye shefi i Telekomit është takuar edhe me Këshillin Ndërministror për Ndërmarrjet Publike, por që edhe nga ky takim, është shkruar zyrtarisht se i kanë njoftuar për ekzekutimin e vendimit të Arbitrazhit nga Z-Mobile, duke kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë për gjetjen e një marrëveshje të kënaqshme.

Telekomit i kanë mbetur vetëm edhe dy ditë kohë për të kthyer përgjigje për Z-Mobile. Në  letrën që ka datën e dërgimit 26 prill, saktësohet se kjo kompani ka vetëm dy javë kohë (14 ditë ), për të treguar se a do të paguajnë shumën vullnetarisht apo në të kundërtën do të shkojnë te përmbaruesit.

“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga Vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të inicohen procedurat e përmbarimit”, shkruhet në letër.

Image

“Ne jemi në pritje të propozimit tuaj për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit dhe përgjatë afatit të lartshënuar nuk do të marrim veprime tjera ligjore. Në rast të mosgatishmërisë suaj për t ëgjetur zgjidhjen për pagesën e borxhit, ne jemi të detyruar të inicojmë procedurat e përmbarimit, të cilat janë shumë të kushtueshme për Telekomin”, vazhdon letra që mban logon e Z-mobile, por që është dërguar në emër të Dardafon.net LLC si pronare e saj.

Image

Si nisi problemi i Telekomit me Z-mobile?

Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim.

Këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht.

Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.

Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas kompanisë së Blerim Devollit ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile.

Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur.

E përveç kësaj, aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile.

Asokohe, drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati deklaruar se pretendimet e Z-mobile janë të pabaza.

Megjithatë, kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro.

(Kosova Sot)