KFOR’i e bën një njoftim të rëndësishëm për kufijtë e Kosovës

  • 07 maj 2019 - 18:33
KFOR’i e bën një njoftim të rëndësishëm për kufijtë e Kosovës

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka treguar se në ditë në vijim do të bëjë zëvendësimin e shenjave ekzistuese përgjatë vijës së kufirit administrativ me Serbinë, pasi që ato shenja janë vjetërsuar dhe dëmtuar si rezultat i ndryshimeve të motit.

Në një komunikatë dërguar mediave, ata thonë se këto shenja shërbejnë vetëm për personelin e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe jo për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndër të tjera në këtë njoftim thuhet se KFOR- nuk merret me diskutimet aktuale politike që po bëhen rreth kufijve.

“Në ditët në vijim, KFOR-i do të vazhdojë t’i zëvendësojë shenjat ekzistuese përgjatë vijës së kufirit administrativ. Ky aktivitet është i domosdoshëm për të gjitha shenjat që janë në gjendje shumë të keqe, për shkak të dëmtimeve si rezultat i motit”, potencon njoftimi i KFOR-it.

Ata thonë se këto shenja shërbejnë vetëm për paqeruajtësit e KFOR-it dhe pjesëtarët e UNMIK-ut, për t’u orientuar në mënyrë që të mos e thyejnë marrëveshjen me Forcat e Armatosura të Serbisë rreth kalimit të vijës kufitare administrative pa dashje.

“Shenjat e vendosura përgjatë vijës së kufirit administrativ janë VETËM referenca për personelin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, jo për qytetarët e Kosovës. Shenjat paralajmëruese e tregojnë distancën nga vija e kufirit administrativ, në mënyrë që personeli i KFOR-it dhe i UNMIK-ut mos t’i shkelin marrëveshjet me Forcat e Armatosura të Serbisë duke e kaluar vijën e kufirit administrativ pa dashje”, shpjegojnë ata.

Ata thonë se vija administrative shërben vetëm për referencë ushtarake, dhe nuk ka të bëjë me kufijtë zyrtarë të Kosovës.

“Vija e kufirit administrativ është një vijë referencë, e vendosur për qëllime ushtarake dhe nuk ka të bëjë me kufijtë zyrtarë të tashëm apo të ardhshëm. Vija e kufirit administrativ dhe shenjat nuk ndikojnë në jetën dhe aktivitetet e qytetarëve në Kosovë”, potencon njoftimi

Në fund ata thonë që nuk merren me diskutimet aktuale politike rreth kufijve të Kosovës.

“KFOR-i nuk merret me çështjet e kufirit apo ndonjë çështje tjetër lidhur me diskutimet e tanishme politike”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)