LDK’ja e minimizon iniciativën e Veselit për gjykatën për krimet serbe

  • 07 May 2019 - 23:57
LDK’ja e minimizon iniciativën e Veselit për gjykatën për krimet serbe

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka folur për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar, që do të gjykonte krimet e serbëve në Kosovë.

Ai ka thënë se këtë iniciativë të kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, e sheh më shumë si garë mes partnerëve në koalicion.

“Kemi dëgjuar për këtë iniciativë. Sa i përket kësaj ideje, s’kemi parë asgjë në letër por veç si ide që është proklamuar, apo si thirrje që krimet e serbëve në Kosovë të marrin një verdikt, e ky verdikt është të marrin dënime të gjithë ata kryen vepra kriminale, që për ne janë gjenocidiale e lënë pasoja të mëdha ndaj popullsisë në Kosovë”, tha ai.

Zemaj, thotë se LDK-ja janë të rezervuar të deklarohen rreth kësaj teme.

“Nëse i atribuohemi OKB-së, kërkesa për një Tribunal të tillë nuk është lehtë e realizueshme duke pasë përballë që në OKB, ka shtete që jo vetëm se kanë njohur Kosovën por edhe mbajnë qëndrim ndaj shtetit tonë”, tha ai.

Në aspektin procedural dhe politik, krijimi i këtij Tribunali, Zemaj thotë se është e pamundur por veç deklarative.

Sipas deputetit të LDK-së, këtë e sheh si një lloj gare mes partnerëve të koalicionit, raporton ktv.

“Fatkeqësisht, sepse kjo temë është e ndjeshme. Mbi 1600 persona i kemi ende të zhdukur. Kjo temë, në këto rrethana, është veç garë mes dy krerëve të koalicionit”, tha Zemaj.

Sipas tij, sa i përket kësaj teme është me rëndësi të ruhet uniteti në Kuvend.

Zemaj, thotë se nuk beson që këtë iniciativë ta përkrah OKB-ja.

(Kosova Sot Online)