Tribunali Ndërkombëtar, mashtrim për të mbuluar dështimet e qeverisë, presidencës, prokurorisë, gjykatave...

  • 08 May 2019 - 07:38
Tribunali Ndërkombëtar, mashtrim për të mbuluar dështimet e qeverisë, presidencës, prokurorisë, gjykatave...

Edhe pse e domosdoshme, një Gjykatë Speciale për krimet serbe e luftës në Kosovës, e iniciuar nga krye parlamentari Kadri Veseleli, po shihet si veprim tepër i vonuar i cili do të shërben vetëm për të mbuluar dështimin e plotë të institucioneve të shtetit të Kosovës sa i takon trajtimit të kësaj problematike të ndjeshme e të dhimbshme të trashëguar nga lufta.

Kështu ka thënë për "Kosova Sot Online", prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi. “Dështimet e shtetit të Kosovës në ndjekjen e krimit, të terrorit dhe të gjenocidit serb, janë evidente dhe të njëjtat duken dukshëm. Ka dështuar qeveria, presidenca, prokuroria, gjykatat, ka dështuar cdo organ. Këtej tani për të mbuluar dështimet e bëra u propozua një Tribunal Ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin serbomadh të shtetit serb”, tha prof Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, natyrisht se krijimi i një gjykate të tillë është shumë e nevojshme, por e pamundur që kjo të formohet nga OKB-ja ngase pengesa është tek Këshilli i Sigurimit dhe aty do të ndeshet kërkesa e bërë. Do të kundërshtohet me veton e Rusisë dhe të Kinës dhe mundë të kundërshtohet edhe nga ndonjë tjetër shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit.

Prandaj sipas Kelmendit nevojitet ndryshimi i legjislacionit vendor për të hapur një proces të tillë dhe të zhbllokohet kjo fushë e mbetur peng tash e dy dekada. “Çka mbetet tani?! Kosova ka nevojë për një ligj të ri që hapë mundësinë që prokuroritë dhe gjykatat në Kosovë, edhe pse pa palët e paditura- në mungesë, të zhvillojnë procedurat penale dhe të dënohen kriminelët.

Kjo kështu duhet të behet edhe në fushën e dëmit material dhe moral. Kemi kështu dy lloj të veprave të dënueshme dhe shumë të rënda dhe në asnjërën vepër nuk duhet të ketë anashkalim”, ka theksuar Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )