Tahiri: Pavarësisht pengesave, serbët që kanë kryer krime do të sillen para drejtësisë

  • 08 May 2019 - 12:24
Tahiri: Pavarësisht pengesave, serbët që kanë kryer krime do të sillen para drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë sot pjesë në  takimin e parë koordinues për themelimin e task forcës dhe trupit monitorues të Strategjisë së Krimeve të Luftës, organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Me këtë rast, ministri Tahiri ka theksuar se pavarësisht që kanë kaluar 20 vjet nga lufta, kjo temë vazhdon të mbetet e freskët dhe nuk mund të venitet përveçse duke u ballafaquar me të.

“Këto viktima të krimeve të luftës, civilët e pafajshëm që janë persekutuar, vrarë, torturuar duke mos u marrë parasysh as për nga mosha, as për nga gjinia, si dhe familjarët e tyre që e kanë përjetuar këtë ankth, ende e kanë të freskët memorien dhe të cilët, sot, pa dallim etnie, pa dallim gjinie, kërkojnë drejtësi”, ka theksuar ministri Tahiri.

Ministri Tahiri ka thënë se padrejtësitë duhet të gjykohen, në mënyrë që mos të bëhen burim i tensionit dhe të mbajnë peng të ardhmen. Sipas ministrit Tahiri, ndonëse për këto krime deri më tani kane qenë përgjegjës  institucionet ndërkombëtare të drejtësisë të vendosura në Kosovë, tashmë institucionet vendore duhet të marrin përgjegjësinë për dështimet dhe sukseset në këtë fushë.

“Një gjë është shumë e qartë në këtë diskurs dhe duhet të jetë e qartë në çdo rrafsh: kolektivisht mund të solidarizohemi por kolektivisht nuk mund të vendosim drejtësi. Përgjegjësia është personale, sepse drejtësia nuk është hakmarrje por është vendosje para përgjegjësisë e atyre që kanë shkaktuar dhunë” ka thënë ministri Tahiri.

 Megjithatë, ministri ka theksuar se pavarësisht sa kohë do të kaloj apo pengesave që mund të shkaktohen nga Serbia, shteti i Kosovës do të vazhdojë të punojë deri në sjelljen para drejtësisë të fajtorëve.

“Kanë kaluar 20 vite por as 200 vite nuk mund ta mohojnë drejtësinë dhe ata që janë përgjegjës për krime lufte, për ato krime që kanë ndodhë në Kosovë në 98-99-tën, duhet ta dinë se as koha nuk i shpëton dot nga përgjegjësia” ka potencuar ministri Tahiri.

(Kosova Sot Online)