E thotë eksperti: Devollët po punojnë me receta ruse, janë në gjendje të falimentojnë edhe shtetin!

  • 08 May 2019 - 14:00
E thotë eksperti: Devollët po punojnë me receta ruse, janë në gjendje të falimentojnë edhe shtetin!

Njohës të fushës së ekonomisë e shohin me shqetësim se si në shtetin e ri të Kosovës, në vend se të kemi zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, realisht kemi vetëm vjedhje të buxhetit të shtetit të Kosovës, edhe atë për  gati 20 vite rresht, në të gjitha format, në të gjitha nivelet, po vidhen e plaçkiten edhe pasuritë e shtetit dhe qytetarëve nga pushtetarët e inkriminuar, të të dyja niveleve.

Sipas analistëve, fillimisht shteti u vodh pas luftës, duke mbushur institucionet me familjarë dhe militantë, për të vazhduar pastaj për të krijuar kompani private, e përmes njerëzve që i kanë pasë në institucione, duke vjedhur qindra miliona euro të parasë publike përmes tenderimeve e formave tjera, për të vazhduar pastaj me favorizimin e bizneseve që kanë ekzistuar, por me kushtin që kasta e lartë partiake me pas ‘hisen e vet’ brenda këtyre kompanive, siç ishte rasti tipik I kompanive të Blerim e Shkëlqim Devollit ( Z-Mobile), për të finalizuar fazën e vjedhjes masovike që vetë pushtetarët të bëhen mazhoritar të këtyre kompanive dhe duke I bartur selitë e këtyre bizneseve, në parajsa fiskale, ku edhe bëhet pastrimi I parave të ndyta.

Tepër shqetësues e sheh këtë realitet edhe analisti, eksperti i fushës së ekonomisë Driton Gashi.

Gashi ka  thënë  për “Kosova Sot Online” se “Kosova në procesin e saj shtet ndërtues ka pasur shumë probleme politike e teknike, kushtëzime të natyrave të ndryshme nga bashkimi evropian e të tjera, mirëpo problemi substancial i Kosovës ka qenë dhe mbeten klanet mafioze të cilët nuk kanë lënë gjë pa bërë në këtë shtet, - kurse drejtësia si ajo ndërkombëtare dhe kombëtare kanë qenë të pa afta për të nxjerrur të vërtetat e këtyre grupeve mafiozve të cilat kanë qenë të lidhura direkt apo indirekt me pushtetin, tani rasti super skandaloz me Devollët”.

“Kemi raste të freskëta, sikurse kompanitë e Devollëve, të cilët janë në gjendje të falimentojnë edhe shtetin e lëre më kompani sikurse Telekomi. Kështu dikur vepronin edhe biznesmenë rusë para dy dekadave. Kurse kjo kompani e tipit alla ruse, nuk  interesohet për  asgjë tjetër përpos për  paratë të fituara në mënyrë të ndytë. Këta njerëz vërtet nuk mund të ndalen nëse në një të ardhme nuk krijohet një elitë e pastër politike, prokuror të fuqishëm e të drejtë, si dhe sistem i kristaltë i drejtësisë”, tha Driton Gashi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )