Raportet mes Bukoshit dhe Rugovës u zbehën nga fundi i vitit 1993, thotë Gagica

  • 08 May 2019 - 19:13
Raportet mes Bukoshit dhe Rugovës u zbehën nga fundi i vitit 1993, thotë Gagica

Ish kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, Hafiz Gagica, ka pranuar se mes ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ish-kryeministrit Bukoshi ka pasur një periudhë të ftohjes së marrëdhënieve.

Madje ka thënë se ka pasur tendencë ta largonin Rugovën nga skena.

“Raportet mes ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit, dhe presidentit Rugova, kanë filluar të zbehen nga fundi i vitit 1993. Në vitin 1994 kishte turbulence politike për të ndryshuar udhëheqjen që kishte vendosur Ibrahim Rugova dhe Bukoshi ishte adhurues i këtij grupi tjetër”, deklaroi Hafiz Gagica për media.

Duke folur për zhvillimet aktuale brenda LDK-së, Gagica tha se nuk e përkrah Isa Mustafën për kryetar të partisë me arsyetimin se ai është inkuadruar vonë në parti dhe nuk i ka dhënë kontribute.

“Kundërshtia ime për Isa Mustafën është se në parim nuk mund të jetë kryetar partie një njeri që nuk ka ecur një kohë me partinë dhe që kontribuar një kohë për të. Partitë nuk mund të jenë si ato bahçet që kanë ekzistuar në Shqipëri”, shtoi më tej Hafiz Gagica.

Gagica ka folur edhe për organizimet dhe trajnimet e grupeve të para të UÇK-së, e gjithashtu edhe për fondin e 3%, për të cilin tha se duhet të jap përgjegjësi ish kryeministri Bukoshi dhe ministri i atëhershëm i Financave, Isa Mustafa.

(Kosova  Sot Online)