Gjykata Speciale do të ngritë aktakuzat e para në muajin shtator

  • 09 May 2019 - 07:36
Gjykata Speciale do të ngritë aktakuzat e para në muajin shtator

Në pritje të zhvillimeve nga Gjykata Speciale, analisti Nexhat Haziri për gazetën “Kosova Sot Online” thekson se "gjykata Speciale do të zbardhë një anë të errët të luftës së UÇK-së, që ka të bëjë vetëm me individët dhe jo me UÇK-në si tërësi, dhe po ashtu pres që kjo Gjykatë të zbardhë edhe rastet e vrasjeve të paluftës, vrasje këto që janë politike".

Sipas Hazirit, "është pritje reale që Gjykata Speciale të ngritë aktakuzat e para në muajin shtator, duke u bazuar edhe në dinamikën e punës së kësaj Gjykate. Kjo Gjykatë nuk është kundër UÇK-së, ashtu siç po mundohen të mbrohen disa nga ata që tashmë janë duke u intervistuar nga kjo gjykatë, dhe po ashtu pas kësaj do mundohen të fshihen edhe ata që pritet të ftohen në Hagë”.

"Mbase për qytetarët e Kosovës ky është çlirimi i dytë, pasi njerëzit e fuqishëm, të të ashtuquajturit “Krahu i Luftës”, komandantët e konvertuar në politikan që aktualisht për fat të keq mbajnë pozitat më të larta shtetërore, dhe për gjithë këto vite ia kanë vrarë shpresën çdo qytetari se ky vend mund të bëhet. Pra është një rast i mirë që të bëhet dekriminalizimi i skënës politike kosovare e cila po ashtu pres të ndikoj në një konfigurim të skenës politike në Kosovë, e që do të jetë shumë e shëndetshme për prespektivën e Kosovës, si një vend ku sundon rendi dhe ligji demokratiik, me mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe i mirqenë për qytetarët e vetë, shtet me ambicje normale të integrimit euro-atlantik” thotë për "Kosova Sot Online", analisti Nexhat Haziri.

(Kosova Sot Online)