Drejtësia, privilegj i pushtetit politik dhe i mafio oligarkisë

  • 09 May 2019 - 07:40
Drejtësia, privilegj i pushtetit politik dhe i mafio oligarkisë

Njohësi i mirë i fushës së të drejtës, analisti Skënder Kapiti, duke vendosur një paralele të funksionimit të institucioneve shtetërore në Kosovë dhe në Shqipëri, për ngjashmërinë e masës së krimit dhe korrupsionit me të cilën ballafaqohen të dyja vendet, thotë se është shumë i shqetësuar se si edhe në Kosovë, sikurse në Shqipëri, vidhet për 20 vite rresht në të gjitha format, buxheti I shtetit, pasuritë e shtetit dhe qytetarëve nga pushtetarët e inkriminuar, të të gjitha niveleve.

Sipas Kapitit, "është për të ardhur keq që modeli i Shqipërisë po zbatohet edhe në Kosovën si shtet i ri, e ku prona dhe pasuritë publike, madje edhe buxheti i shtetit, trajtohen si pronë private. Politika shqiptare si ajo në Shqipëri dhe ajo në Kosovë e shikojnë dhe e trajtojnë shtetin si pronë private. Pra shteti i cili është i të gjithëve, krijohet për t'i mbrojtur dhe për t'u shërbyer të gjithë anëtarëve të tije. Në Shqipëri dhe Kosovë shteti dhe e drejta shtetërore privatizohen nga politika dhe pushteti. Dhe kështu edhe drejtësia në atë shtet është e drejtë dhe privilegj i pushtetit politik dhe i mafio oligarkisë. Aty ku shteti dhe drejtësia identifikohen me një kastë mafio oligarkësh me lidhje krimi, korrupsioni, nepotizmi-krahinizmi, hajdutërie dhe abuzivizmi, aty shteti ,ligji, drejtësia, demokracia dhe shoqëria janë paralizuar dhe nuk funksionojnë”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, "është rast Model ajo që ndodhë në Kosovë dhe në Shqipëri ku shteti ndërtohet për tu vjedhur dhe duke u vjedhur, por jo duke u zhvilluar, kurse drejtësia nuk e kryen detyrën sipas ligjit".

"Në Shqipëri e Kosovë është bërë kulturë dhe edukatë politike postulati: "shteti ndërtohet për të vjedhur pushteti". Ky postulat është real dhe i vërtetë pasi gjendja, dhe ashtu si funksionojnë institucionet shtetërore në Kosovë, vërtetojnë më së miri se vjedhja, spekulimi dhe korrupsioni me paranë publike dhe me pasuritë shtetërore dhe të qytetarëve është qëllimi politikës për të marre pushtetin apo edhe për të rrëmbyer pjesë të tij”, thotë analisti Skënder kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )