SKANDALOZE: PTK vetëm për qira paguan mbi 72 milionë euro në vit!

  • 09 maj 2019 - 07:42
SKANDALOZE: PTK vetëm për qira paguan mbi 72 milionë euro në vit!

Pas zhvillimeve të fundit rreth hetimeve në PTK nga Prokuroria Speciale, delegimi i rastit nga Specialja në Themelore, ka reaguar edhe analisti politik Gani Qarri i cili tha për “Kosova Sot Online “ se pikërisht ky rast i fundit tregon se si Kosova e vogël,vërtetë është kthyer në vendburim të çudive të mëdha që më në fund kuptohet se nga kush është kapur sistemi i drejtësisë, nga cilat grupe politike e të interesit.

“Kjo vërteton edhe një herë më tepër se "prokurori", "gjyqësi",pushtet dhe sulltano-sundues të plotfuqishëm të Kosovës, janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, ligji dhe shteti i të drejtës, para tyre nuk ekziston. Përndryshe nuk mund të kuptohet se për farë shteti, sistemi drejtësie dhe prokurorie speciale mund të flasim kur vetë kjo "prokurori" refuzon të hap rastet e krimit te organizuar dhe atë pikërisht në folenë më të përfolur shumëvjeçar të krimit, si në PTK”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, gjendja me këtë prokurori jo vetëm se është bërë pafundësisht enigmatike, por as nuk dihet më se për çka paguhen të ashtuquajturit prokuror special kur ata jo vetëm mbyllin sytë dhe nuk i hapin rastet kriminale, si shembulli më eklatant i kontratës së Z-Mobile të Blerim e Shkëlqim Devollin, që po dëshmohet se është krye krimi i këtij qindvjeçari ku demi dhe zhvatja ka kaluar 400 milionë euro.

“Sipas po kësaj kontrate skandaloze të sponsorizuar nga pushtetarët e kriminalizuar të vendit, vetëm për qira PTK duhet të paguaj mbi 6 milion euro në muaj, apo 72 milionë euro në vit, ndërsa për sponsorizime, përfshirë edhe mediume inekzistente, janë dhënë mbi 38 milionë euro, duke bërë kështu në mënyrë të hapur, shpëlarje parash dhe shumë krime të tjera, veprime antiligjore”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analisti Qarri po ashtu thotë se "mungesë transparence ka edhe në punën e komisionit hetimor, i cili do të duhej zbardhur një nga një të gjitha kontratat dhe të dalin në sipërfaqe edhe të ashtuquajturat media që janë sponsorizuar nga PTK-ja, e ky dyshohet të kenë përfunduar dhjetëra e qindra miliona euro".

Sipas Qarrit, "nuk ka asnjë dyshim që arsyeja e vetme dhe kryesore pse e ashtuquajtura "prokurori speciale" nuk dëshiron, ose thënë më drejtë nuk ia mbanë ti fus hundët në Telekom, është pikërisht fakti se prokurorët e saj, e din mirë se cilët janë kapot e krimit në këtë ndërmarrje".

“Adresat kryesore janë vetë pushtetarët e niveleve më të larta të shtetit, me të cilët prokuroria speciale nuk mund ti shtyjë brirët, apo thënë më butë, nuk "denjon" ti prishë punët, pasi që janë servil të tyre”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )