Prokurori i përgjithshëm amerikan “shpërfill” Kongresin

  • 09 May 2019 - 10:19
Prokurori i përgjithshëm amerikan “shpërfill” Kongresin

Një panel i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara votoi për të mbajtur prokurorin e përgjithshëm, William Barr, përgjegjës për shpërfillje të Kongresit.

Kjo, pasi Barr nuk e publikoi një kopje të paredaktuar të raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Komiteti për Drejtësi e bëri këtë hap të rrallë në kohën kur tensionet për gjetjet e Muellerit po rriten.

Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump, e përdori për herë të parë privilegjin e tij ekzekutiv për të bllokuar shpalosjen e plotë të raportit.

Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi akuzuan njëri-tjetrin për abuzim të pushtetit.

Raporti i Muellerit ka konstatuar se nuk ka pasur konspiracion midis Moskës dhe fushatës së Trumpit, për të ndikuar zgjedhjet e vitit 2016.

Megjithatë, Mueller i ka detajuar dhjetë raste ku Trump mund të ketë bërë përpjekje për t’i penguar hetimet.

Raporti prej 448 faqesh është publikuar muajin e kaluar me pjesë të redaktuara.

Ligjvënësit demokratë, me urdhër ligjor, kanë kërkuar që Barr ta publikojë raportin e plotë.

Por, Barr ka kërkuar formalisht nga presidenti që ta shfrytëzojë të drejtën e tij për privilegj ekzekutiv, për të parandalaur shpalosjen e raportit të paredaktuar.

(Kosova Sot Online)