Indinjatë lidhur me dështimin e reformave dhe rrugëtimin e integrimit Evropian

  • 09 May 2019 - 16:28
 Indinjatë lidhur me dështimin e  reformave dhe rrugëtimin e integrimit Evropian

Lidhur me dështimin e plotë të reformave dhe rrugëtimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës, ka reaguar  rrjeti i organizatave të Kosovës "Avonet", shkruan gazeta "Kosova Sot Online".

Kjo është komunikata e plotë:

Sot, Republika e Kosovës shënon Ditën e Evropës, 9 majin, sa për ironi kjo datë bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare dhe është ditë pushimi, ndërsa Kosova aktualisht gjendet shumë larg sa i përket reformave të integrimit evropian. Institucionet tona, Qeveria, Ministria e Integrimit, komunat, si dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e reformave lidhur me agjendën evropiane kanë dështuar të përmbushin përgjegjësitë dhe misionin e tyre në mbështetje të transformimit dhe reformave të Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Institucionet përgjegjëse të Kosovës nuk kanë arritur të harmonizojnë politikat e Republikës së Kosovës për t’i pëarafruar ligjet e saj me ato të Bashkimit Evropian si dhe kanë dështuar për të mbajtur një dialog gjithpërfshirës dhe të vazhdueshëm efikas ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Si rezultat i dështimit të plotë të politikave të Kosovës, sot është e paqartë perspektiva evropiane e vendit tonë, qytetarët e Kosovës janë më të diskriminuarit në gjithë hapësirën gjeografike të Evropës, duke vazhduar të mbesim populli më i getoizuar dhe më izoluar në botë, duke u përjashtuar nga mundësia e lëvizjes së lirë në zonën shengen, përkundër faktit se qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar të sjellin vlera evropiane. Pikërisht, ndërlidhur me këtë ditë të Bashkimin Evropian, Rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, bënë thirrje për reflektim të plotë e të thellë të institucioneve të Kosovës që të angazhohen në vendosjen e prioriteteve lidhur me zbatimin e plotë të gjitha politikave që mundësojnë kthimin e shpresës së perspektivës evropiane të Kosovës në përmbushje të gjitha kritereve që kërkohen deri në integrimin dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE.

(Kosova Sot Online)