Alarmon Shkodra: Politikanët tanë si organizatë e krimit të organizuar!

  • 09 May 2019 - 18:23
Alarmon Shkodra: Politikanët tanë si organizatë e krimit të organizuar!

Sa do që në Kosovë, kanë filluar të ngiten zërat e diplomatëve ndërkombëtar kundër kësaj klase politike, duke ju dhënë sinjale qytetarëve që të ngrihen qoftë edhe në organizime masive protestuese për t`i ndjekur nga pushteti dhe kapja e shtetit, pasi edhe diplomatëve ju kanë ardhur te hunda me papërgjegjësinë e tyre, sikurse shumicës qytetare, analisti politik Shefik Shkodra thotë se "do jetë vështirë të ndodhë një mobilizim i tillë pasi që në jetë publike të vetorganizimit qytetar, Kosova nuk ka arritur akoma të dëshmohet si duhet. Dhe derisa populli është në këtë vetëdije të ulët, analisti Shkodra thotë se edhe sinjalet e ndërkombëtarëve për ta dhënë mbështetjen e tyre rreth ndryshimeve që kërkohen mundë të mos kenë sukses. Kot thërret për protesta popullin e Kosovës ambasadori O'Conell. Populli e sheh mirë se si është gjendja në këtë vend nga keqpërdoruesit në qeverisjen e kësaj shoqërie.

Po të ishte ky popull sikur e mendon ambasadori e ambasadorët tjerë, sigurisht që gjendja ekonomike e politike nuk do të ishte kështu si e kemi. As nuk do të kishin guxuar të luajnë politikanët tanë si një organizatë, e cila merret me krimin e organizuar”, tha analisti Shefik Shkodra për“Kosova Sot Online”. Sipas analistit Shkodra, po të ishte vetëdijesuar me kohë qytetari i Kosovës, për të mos duruar qeveritarët dhe politikanët e korruptuar në majat e shtetit, ata kaherë do ishin larguar nga këto pozita dhe nuk do ta kishim këtë gjendje të mjetë që e kemi, e në të cilën ata po vazhdojnë ta thellojnë edhe më shumë këtë vend. “Po të ishin populli i Kosovës të organizuar, kaherë do ta paguante shtrenjtë dikush prej tyre këtyre sundimtarëve. Të tjerët që do të mbeteshin jashtë burgut, nuk do zgjidheshin nëpër institucione me parulla boshe e mashtrime. Të gjitha të këqijat e mundshme që janë bërë dhe po bëhen, janë nga këta 'politikanë', të cilët Kosovën e kanë izoluar edhe me botën e jashtme”, tha analisti Shefik Shkodra për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )