Komision hetimor për rastin e “Gylenistave” është i dështuar

  • 10 May 2019 - 07:36
Komision hetimor për rastin e “Gylenistave” është i dështuar

Analisti politik Faik Krasniqi, ka reaguar për mënyrën se si janë koordinuar më në fund Hashim Thaçi me shefin dhe zëvendës shefin e AKI-së në përpjekjet e tyre për ta lënë në gjysmë të rrugës procesin e filluar hetimor, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për rastin e dëbimit të qytetarëve turq vitin e kaluar.

Reagimi i Krasniqit vjen pas raportimit se "përveç presidentit Thaçi, edhe ish shefi i AKI-së Driton Gashin nuk ishte i gatshëm që të japë deklaratë, kurse sjellja e tij në komision është mbështetur edhe nga deputetët e PDK-së". Ai thotë se "tani puna e komisionit veç është pamundësuar kurse një hetim i pa varur mundë të ndodhë vetëm nëse bëhen ndryshime rrënjësore politike për të filluar nga fillimi dhe ndëshkuar përgjegjësit".

“Është një fjalë e urtë popullore që thotë " Qeni ku ha edhe lehë". Vartësit e Hashim Thaçit falë tij i gëzojnë postet që i kanë. Dhe normal që i dalin në mbrojtje shefit të tyre. Ky komision hetimor për rastin e “Gylenistave” të deportuar në Turqi veç se është i dështuar. Nuk do të ndodhë asgjë rreth këtij rasti. Do të mbyllet dhe do të harrohet. Të paktën deri sa Hashim Thaçi është në pushtet”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo dikush duhet të përgjigjet, sipas Krasniqit, për këtë rast, në një mandat tjetër me njerëz të rinj në politikë dhe në drejtësi.

“Por pas rënies apo largimit të tij nga pushtetit, mund të ndodhë që ky rast të rikthehet në hetim. Me figura të reja në krye të këtyre institucioneve. Edhe nëse dikush do të japë përgjegjësi ai s'do të jetë Hashim Thaçi, por vartësit e tij që janë në krye të këtyre institucioneve!”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

( Kosova Sot Online )