EURACTIV: Dialogu Kosovë-Serbi dominoi Samitin e Brdo-Brijunit

  • 10 May 2019 - 09:57
EURACTIV: Dialogu Kosovë-Serbi dominoi Samitin e Brdo-Brijunit

Platforma mediatike europiane, EURACTIV, i ka kushtuar një artikull samitit Brdo-Brijun që është zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit në Tiranë, duke theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë e ka dominuar të gjithë takimin.

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kroacinë, Slloveninë dhe Bashkimin Europian, kanë zhvilluar një takim në Tiranë, me ç’rast është diskutuar për integrimin e Ballkanit në BE.

EURACTIV thekson se Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, është përpjekur që ta shfrytëzojë këtë Samit për të rifilluar dialogun e ngrirë midis Beogradit dhe Prishtinës, që konsiderohet si çelësi i stabilitetit rajonal.

“Në një deklaratë të përbashkët të miratuar në fund të samitit, pjesëmarrësit i kanë bërë thirrje BE-së që ta konsiderojë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, duke e konsideruar si një çështje me rëndësi të madhe në gjeopolitikë”.

“Ata kanë shtuar se integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, është një faktor kyç për stabilitetin e përgjithshëm të Europës”.

Kjo platformë mediatike ka shkruar edhe për fjalimin e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se BE-ja nuk e ka mbështetur procesin e normalizimit të marrëdhënieve serbo-shqiptarë në Kosovë.

Sipas tij, një zgjidhje përfundimtare do të marrë shumë kohë dhe ky proces nuk e gëzon mbështetjen e plotë të BE-së.

“Ndërsa Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka potencuar se dialogu Prishtinë-Beograd do të vazhdojë sapo Kosova t’i pezullojë tarifat mbi mallrat serbe”.

(Kosova Sot Online)