Policia interviston disa persona për vrasjen e 32 vjecarit në Rahovec

  • 10 May 2019 - 15:42
Policia interviston disa persona për vrasjen e 32 vjecarit në Rahovec

Dje Naser Murselaj, 32 vjeç, është gjetur i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij në Qifllak të Rahovecit. Për vrasjen që sipas familjarëve mund të jetë kryer në ndonjë lokacion tjetër pastaj të riun e kanë sjellë pa shenja jete në oborr të shtëpisë, policia nuk e di motivin dhe as autorin. Deri më tani janë intervistuar disa persona.

Autori i vrasjes së Naser Muselajt është ende i lirë. Deri më tani janë intervistuar disa persona por nuk është identifikuar asnjë i dyshuar, ka konfirmuar policia.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime nga kjo Drejtori në bashkëpunim me prokurorin e çështjes janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e rrethanave të krijuara në këtë rast. Meqenëse jemi në fazën fillestare të hetimeve deri më tani kemi intervistuar disa persona por akoma nuk kemi arritur të identifikojmë kryesin e mundshëm të kësaj vepre. Po ashtu deri më tani nuk dihet  motivi i vrasjes”, tha Lirije Podrimaj, zëdhënëse në policinë rajonale të Gjakovës.

Vrasja e Naser Murselajn ka mbetur mister edhe për familjen. Në një bisedë, familjarët e tij thanë se familja nuk ka ndonjë person që dyshon se mund t’ia ketë marrë jetën 32 vjeçarit.

Djali i axhës së Naserit, Xhaviti, tha se krimi mund të jetë kryer jashtë oborrit të shtëpisë, sepse në vendin e ngjarjes (ku 32-vjeçari është gjetur i vdekur), nuk janë parë shenja të gjakut. Familja s’ka dëgjuar as krisma të plumbave.

Familja ka mohuar se Naseri ka qenë i futur në ndonjë problem, pasi për të thanë se ka qenë i pa fjalë, i kulturuar dhe punëtor.

Vrasja e Naser Murselajt është e 14-ta me radhë brenda këtij viti në Kosovë.

(Kosova Sot Online)