E zbulon analisti Krasniqi: Përplasjet Haradinaj & Thaçi po bëhen për interesa personale

  • 10 maj 2019 - 15:53
E zbulon analisti Krasniqi: Përplasjet Haradinaj & Thaçi po bëhen për interesa personale

Edhe pse janë në një koalicion qeverisës, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi, po tregohen dy krerët e shtetit të cilët do të mbahen gjatë në mend për shfaqjen e kundërshtive dhe mos durimit ndaj njëri tjetrit.

Analistët politik, këto përplasje brenda llojit, pasi që të dy kanë votat e subjektit politik , PDK, theksojnë se po bëhen kryekëput për interesa personale, se po e shfryjnë mllefin e mbledhur ndaj njëri tjetrit tani, ndonëse është mbledhur për vite të tëra që kanë kaluar. Mirëpo është zgjedhur momenti më kritik që janë bisedimet me Serbinë dhe idetë që po shpërfaqen në dëm të Kosovës, e të cilat po i përdorë si predha topi, Kryeministri Haradinaj. Kështu vlerëson për “Kosova Sot Online,” analisti Faik Krasniqi.

“Raportet mes Haradinaj dhe Thaçit gjithmonë kanë qenë raporte të tensionuara. Por këtë herë këto përplasje po bëhen për interesa personale. Ose më mirë të them për të qëruar hesapet e tyre të vjetra. Hashim Thaçi me Baton Haxhiun dhe servilët e tyre mundë të propagandojnë sa të duan me idenë e korrigjimit të kufijve, por kjo është e kotë. Në Samitin e Berlinit, superfuqia botërore Gjermania ju tregoi qartë se nuk do të ketë lëvizje të kufijve”, tha Faik Krasniqi për "Kosova Sot Online".

Sipas tij me këtë rast ka dështuar edhe pazari i paramenduar për shkëmbim territoresh me Gjykatën speciale, nga e cila nuk mundë të shpëton me asnjë çmim, sipas tij, nëse në listë është Hashim Thaçi. “Në këtë Samit u varros njëherë e përgjithmonë ideja e Rusisë, dhe korrierëve të tyre si Thaçi-Rama-Vucic dhe Haxhiu për lëvizjen e kufijve, respektivisht ndarjen e Kosovës. Nëse Hashim Thaçi është në listën e Gjykatës Speciale, s'ka gjë që mund ta shpëtojë. As ndarja e Kosovës”, theksoi analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )