Loredana pranoi se ka marrë mijëra franga, por ...

  • 10 May 2019 - 16:52
Loredana pranoi se ka marrë mijëra franga, por ...

Loredana Zefi këto ditë ndoshta është reperja më e përfolur në botë edhe pse ajo njihet vetëm në një pjesë të vogël të saj. Të premten, ajo erdhi në Prishtinë,  për t’u rrëfyer  rreth skandalit në Zvicër ku ajo është personazhi kryesor. 23 vjeçarja, sipas gazetës zvicerane “20 Minuten” ua ka marrë rreth 700 mijë franga një çifti zviceran. Para mediave doli bashkë burrin këngëtarin Gramoz Aliun të njohur si Mozzik dhe avokatët Artan Sadiku e Tomë Gashi. Pjesa më e rëndësishme ishte kur ajo pranoi se ka marrë para, por tha se nuk e ka bërë me dhunë. Avokati Sadiku tha se Loredana po hetohet për 350 mijë euro e jo për 700 mijë.  Pjesa tjetër e konferencës u përdorë për t’u lazdruar e për të bërë spektakël

“Jam marrë në pyetje e nuk kam qenë në paraburgim apo e burgosur”,  ka qenë njëri prej shpjegimeve që ka bërë reperja kosovare që është përfshirë këto ditë në një skandal mashtrimi në Zvicër ndaj çifti zviceran të cilëve u ka marrë para.

Kjo, pak a shumë ka dalë si përgjigje në konferencën për media kur u shtrua cështja e largimit të Loredanës nga Zvicra bashkë me burrin e saj.

Në këtë pikë është përgjigjur avokati Tomë Gashi i cili të premten në hotelin Emerald pothuajse nuk i la rend askujt për të folur. Avokati Gashi shpjegoi se çifti Mozzik e Loredana kanë ardhur për të regjistruar një klipë e jo për të ikur.

Gati një orë zgjati konferenca e thirrur nga Loredana Zefi. Por, katër persona sa ishin gjithsej së bashku me të nuk dhanë asnjë detaj se për çfarë arsye reperja e njohur mashtroi duke iu marrë qindra euro çiftit zviceran. Derisa Loredana pranoi që kishte marrë shumën, avokatët e saj e arsyetuan atë duke thënë se bëhet fjalë për një lëndë civile.

Reperja nga Ferizaj, që tash e sa vite jeton në Zvicër ka zgjedhur Kosovën që të sqarojë skandalin që mori vëmendjen e mediave në të dy vendet edhe pse akuzat mbi të rëndojnë në Zvicër.

Për dyshimet se ajo duke mashtruar ua ka marrë 700 mijë euro një çifti nga Zvicra, Loredana ka folur hapur duke pranuar se ka bërë një veprim të tillë. Por ajo thotë se paratë që i ka marrë nuk i mori në asnjë moment duke mashtruar, me dhunë apo duke kërcënuar.

Por, ajo që mbeti nën hije dhe që reperja e përfaqësuesit e saj nuk pranuan të sqarojnë për media ishte arsyeja se pse Loredana ia mori këtë shumë të madhe të parave çiftit.

  “Në bazë të mediave që kam lexu, unë muj me thanë që do sene janë ndryshe, do ndryshe. Unë kam ardhë me sqaru qet send për mu çka është me rëndësi shteti shqiptar, gjerman, Zvicrën prej asni personi nuk janë marrë paret me dhunë me mashtrime me kërcënime. Këto pare që kanë hi, shumën nuk e di, janë marrë me vullnet prej anës tjetër, okej qekjo është e para”, shton reperja, teksa shpjegon rastin tutje.

Loredana Zefi tha se rasti ka filluar në vitin 2016-të, derisa ajo nuk ka ditur për këtë deri para një viti. Ajo ka pranuar haptazi se anëtarët e familjes së saj kanë mashtruar duke kërkuar para, duke thënë se kur mori vesh për këtë edhe ajo u shpreh e gatshme për të ndihmuar.

Pala tjetër, thotë Loredana, e ka pranuar me plot dëshirën e saj që t’i japin reperes paratë që ia ka kërkuar, derisa ajo ka shtuar se do të bënte gjithçka për familjen e saj.

Reperja tha se ka mbështetjen e plotë të burrit të saj, reperit nga Ferizaj Mozzik, derisa edhe ky i fundit tha para mediave se do t’i qëndrojë prapa gruas së tij dhe e vërteta do të dalë në shesh.

Pas fjalës se çiftit, folën edhe avokatët. I pari ishte avokati nga Zvicra, Artan Sadiku që pranoi se klientja e tij kishte marrë një shumë të parave nga çifti, por, këtë herë ai vendosi që të bëjë një sqarim sa i përket totalit që kishin marrë nga dy 50-vjecarët nga Zvicra.

“ Për çka i ka ftu 350 janë dhanë, jo 700 mijë. Thirrne prokurorinë në Luzern ju tregon, akuzat janë për 350 mijë euro”, tha Sadiku, duke sqaruar se Loredana nuk është arrestuar por vetëm është marrë në pyetje.

Edhe avokati nga Kosova, Tomë Gashi, pranoi se klientja e tij, Loredana Zefi, të cilës ai iu referohej gjatë gjithë konferencës si ‘Dona’ ka marrë shumën duke mashtruar, por, se arsyetohej se këtë e ka bërë me dëshirën e personit që ia ka kërkuar paratë, e duke thënë se ka të bëjë me një raport civilo-juridik.

 “Nuk i ka vjedhë paratë, por nëse një person në atë gjendje mendore t’i jep ty paratë, atëherë ai person mund të bëjë padi ndaj teje, por jo të thotë se janë vjedhur”, tha Gashi.

Përfaqësuesi i saj ligjor tha se Loredana kishte vendosur që t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve të gazetarëve, por po sa filluan që t’i drejtonin pyetje asaj, përgjigjet ishin nga më arrogantet. Në një moment Loredana madje edhe u çua në këmbë duke ngritur zërin e duke bërë me duar drejt gazetarëve. Avokati Tomë Gashi në anën tjetër përdori fyerje të ndryshme karshi gazetarëve.

“Normal që merren me Loredanën, se t’ishe kanë ti në pyetje nuk ish marrë kërkush”, i tha Gashi njërës prej gazetareve. Kur e njejta i drejtoi përsëri pyetje Loredanës, Gashi nuk e la të fliste reperen duke i thënë.

“Jo se ti përgjigjesh keq”, i tha Gashi.

Loredana doli nga kontrolli, atëherë kur gazetarët e pyetën atë se si do të ndikonte rastin i saj për në imazhin e shqiptarëve në botë. Këtë moment reperja u çua në këmbë, e u përgjigj për këtë temë duke folur në gjuhën gjermane dhe duke folur kryesisht për imazhin e saj.

Reperja nuk u përgjigj as në pyetjen e bërë nga T7 se a është e vërtetë që kishte mashtruar edhe një vajzë duke i marrë qindra euro.

Loredana në pyetjen se a i ka vjedhur para edhe një vajze tjetër ajo është përgjigjur me nervozizëm.

“Ku ka qenë ajo vajza ma herët?”, tha reperja, derisa pas saj ka folur edhe reperi Mozzik.

“Sot jemi për një temë krejt tjetër mu nuk më paska ra në sy kjo”, tha Mozzik, derisa Loredana përsëriti edhe një herë.

Të zëshëm ishin edhe kundër gazetarit Enver Robelli që gazeta “Tages Anzeiger” e kishte dërguar në Kosovë për ta mbuluar konferencën  “pse s’po qetësohesh pak”, i tha Robellit në një moment Loredana.

Konferenca përfundoi pas një ore, derisa me të dalë nga aty, reperen po e prisnin një numër i fansave që besojnë në pafajësinë e saj, e i kërkuan që të dilnin në foto.

(Kosova Sot Online)