Verhofstadt: Britania nuk e humbi vetëm Evropën, e humbi edhe sensin e humorit

  • 10 May 2019 - 23:32
Verhofstadt: Britania nuk e humbi vetëm Evropën, e humbi edhe sensin e humorit

Ish-kryeministri i Belgjikës dhe tani deputeti i parlamentit evropian, Guy Verhofstadt, ka paralajmëruar Britaninë e Madhe se tashmë procesi i Brexit ka “shkaktuar më shumë dëme se ç‘ishte planifikuar.

Duke bërë fushatë sot për partinë Liberal Demokrate të Britanisë, në pjesën veriore të Londrës, Verhofstadt, shtoi se “Brexit kurrë nuk duhet të përsëritet më”, raporton The Guardian

Verhofstadt, gjithashtu është edhe koordinator i Bashkimit Evropian, për negociatat e Brexit’it, dhe u kritikua shumë për disa komente që ai i kishte bërë në një dokumentar të BBC’së.

Ai kishte thënë se përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në negociata, Olly Robbins, i kishte kërkuar atij pasaportë belge, ndërkohë që ai i kishte përshkruar veprimet e kryeministres britanike Theresa May, si të çmendura dhe të çuditshme.

I pyetur për komentet që i kishte bërë ai tha “Ishte një shaka qesharake. Ku është sensi juaj britanik i humorit? Shpresoj se në Brexit ju nuk e keni humbur edhe këtë, sensin tuaj të famshëm të humorit”.

Ai tha se ato fjalë nuk i kishte seriozisht, dhe nuk e kishte menduar se do të kritikohej, për shkak se të gjithë do ta dinin se nuk është shaka.

“Unë nuk flas ashtu. Të gjithë e dinë, dhe duhet ta kenë kuptuar. Unë e trajtoj kryeministren britanike në mënyrën e duhur dhe me shumë respekt. Nuk duhet të personalizohet” shtoi ai.

Verhofstadt, njihet edhe si kundërshtari më i madh i daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, dhe është kryetar i grupit parlamentar të Liberal-Demokratëve, dhe ndër deputetët më të zëshëm në parlamentin evropian.

(Kosova Sot Online)