Rebelët nisin tërheqjen nga porti i Hodeidas në Jemen

  • 11 May 2019 - 09:08
Rebelët nisin tërheqjen nga porti i Hodeidas në Jemen

Kreu i një komisioni të Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se rebelët Houthi të Jemenit do ta fillojnë të shtunën tërheqjen nga porti i qytetit Hodeida. Ky është hapi i tyre i parë që nga arritja e marrëveshjes për armëpushim në dhjetorin e kaluar.

Tërheqja e tyre është shtyrë për një kohë të gjatë, por pritet që një gjë e tillë tashmë të përfundojë të martën e ardhshme. Kështu të paktën tha gjenerali Michael Lollesgaard.

Zhvendosja e rebelëve është pjesë e marrëveshjes për armëpushim, e cila ishte arritur në Suedi. Kjo marrëveshje vlerësohet si mundësia më e mirë për t’i dhënë fund luftës që e ka bërë Jemenin vend që vuan nga uria.

Procesi i tërheqjes së rebelëve do të përcillet nga një mision i Kombeve të Bashkuara, i cili drejtohet nga gjenerali danez.

Kombet e Bashkuara njoftuan në shkurt të këtij viti për arritjen e marrëveshjes për tërheqje të rebelëve në dy faza, por procesi kishte ngecur për shkak të ngadalësimit të bisedimeve për paqe.

Hodeida paraqet pikën kryesore për importim të prodhimeve dhe ndihmave humanitare, duke bërë që situata në këtë qytet të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e miliona njerëzve që tashmë vuajnë nga uria.

Sipas vlerësimit të Kombeve të Bashkuara, lufta në Jemen e ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare në botë pasi mbi 24 milionë njerëz ose dy e treta e popullsisë së shtetit kanë nevojë për ndihma të ndryshme, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online )