Sot pasdite protesta e opozitës, Basha: Betejë për jetë a vdekje. Në tubim edhe…

  • 11 May 2019 - 09:14
Sot pasdite protesta e opozitës, Basha: Betejë për jetë a vdekje. Në tubim edhe…

Sot do të zhvillohet protesta e katërt kombëtare e opozitës shqiptare, e kryesuar nga Partia Demokratike.

Protestat pritet të fillojë në orën 18:30 përpara godinës së Kryeministrisë, por nuk është specifikuar kohëzgjatja e saj.

Partia Demokratike, prej disa javësh, ka vijuar punën nëpër degët e saj në rrethe si edhe në kryeqytet, pasi masiviteti i saj është një nga prioritetet kryesore të lëna nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Ditën e sotme, gjatë tubimit të opozitës, do të jenë të pranishëm edhe 300 studentë të Partive Popullore Europiane.

Këtë fakt e bëri të ditur vetë kreu i PD-së, Basha, gjatë një takimi që zhvilloi dje me strukturat e Partisë në Kamzë, ku theksoi se: “Kjo mori një stad të ri vetëdijesimi me 300 studentë të forumit të Partisë Popullore, partisë sonë nënë, që kanë kuptuar kauzën tonë dhe për këtë arsye janë në krahun e rinisë shqiptare dhe nesër, në orën 18:30, të rinjtë europianë nga Gjermania, Britania, Franca do të jenë në krahun tuaj në goditjen kundër tiranisë së krimit, për Shqipërinë si e gjithë Europa”.

Dje gjate fjales Basha theksoi se “Kjo betejë për jetë a vdekje nuk bëhet për pushtetin e Lulzim Bashës. E gjithë Shqipëria dhe Europa e di se ne jemi sot maxhoranca e re morale e politike e Shqipërisë. Por ne jemi në këtë betejë për një transformim të thellë që do t’i japë fund tranzicionit të zgjatur që do diktojë standardin europian në demokraci përmes një reforme të thellë politike dhe kushtetuese, standardin që do t’i trajtojë njësoj qytetarët para ligjit, jo ca si të nënës e ca si të njerkës. Ne s’jemi në betejë për 4 apo 8 vitet e ardhshme, ne jemi në betejë për 10-15 vitet e ardhshme që fëmijët e të gjithë Shqipërisë kurrë më të mos përjetojnë dhunën, arbitraritetin, varfërinë dhe mjerimin”.

(Kosova Sot Online)