Data e Brexitit mund të caktohet javën e ardhshme

  • 11 May 2019 - 09:43
Data e Brexitit mund të caktohet javën e ardhshme

Shefi i Komisionit të Konservatorëve, Sir Graham Brady, tha se kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, mund ta caktojë datën e largimit të vendit të saj nga Bashkimi Evropian gjatë javës së ardhshme.

Ai gjithashtu tha se kryeministrja do të japë dorëheqje në momentin kur marrëveshja e saj për Brexitin të miratohet nga kuvendi. Sir Graham Brady shtoi se pret që kryeministrja ta paraqesë një plan të qartë për këtë datë pas takimit me komisionin, i cili do të mbahet të mërkurën e ardhshme.

Gramah nuk e përjashtoi mundësinë që të garojë si zëvendësues i kryeministres May. Ai tha se komisioni ka kërkuar nga kryeministrja që t’i qartësojë planet për të ardhmen dhe se ajo ka pranuar të takohet me ta.

Në mars të këtij viti, zonja May kishte premtuar se do të japë dorëheqje nga pozita e kryeministres kur kuvendi ta miratojë marrëveshjen e saj për Brexitin, por nuk e kishte bërë të qartë se sa do të qëndrojë në pushtet në rast se marrëveshja nuk merr votat e mjaftueshme.

Presioni ndaj saj është rritur sidomos pas humbjeve të mëdha në zgjedhjet e fundit lokale. Ka pasur paralajmërime se partia e zonjës May do të pësojë humbje edhe në zgjedhjet evropiane.

Britania e Madhe është dashur të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars, por afati u shtye për 31 tetor për shkak se kuvendi nuk arriti të gjejë rrugëdalje për këtë çështje, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)