Kudusi Lama: Unë ndikova që sulmi në Koshare të shtyhej për 24 orë

  • 11 maj 2019 - 10:07
Kudusi Lama: Unë ndikova që sulmi në Koshare të shtyhej për 24 orë

Gjenerali i Ushtrisë së Shqipërisë, Kudusi Lama ka rrëfyer për herë të parë sulmin e përgatitur në Koshare. Lama ishte Gjeneral në divizionin e Kukësit, dhe kishte një rol të madh në luftën e Kosovës.

Lama tha se sulmi ishte paraparë të bëhej me datë 8 prill 1999 në ora 3 të mëngjesit me urdhër të Azem Sylës. Rrustem Berisha më kërkoi që sulmi të shtyhej më 9 prill në ora 3 për shkak se mungonin disa pajisje dhe gjëra elementare për ushtarët.

“E marr në telefon Azem Sylën më 7 prill dhe I them ke urdhëruar të futet në luftë në Koshare nesër, më tha po i thashë kërkoj të shtyhet 24 orë sulmi se duhen plotësuar disa gjëra. Në asnjë mënyrë më tha, dhe në qoftë se nuk do të fillojë sulmi në ora 3 të mëngjesit të datës 8 prill ju dhe Rrustem Berisha do të mbani përgjegjësi. I thashë dajë për hatrin tim, tha nuk të kam hatër fare dhe e mbylla telefonin”.

Lama tha se Azem Syla e kishte komunikuar udhërin, por kërkesën e kishte bërë shtabi në Kleçkë, dhe Azemi në atë moment ishte në Tiranë.

Kudusi Lama u shpreh se e dinte dobësinë që kishin Azem Syla dhe Xhavit Haliti

“Ata ishin të pathyeshëm në qoftë se kishin marrë një kërkesë nga Shtabi i Përgjithshëm brenda në Kosovë, nuk kishin hatër askënd. Ata nuk e dinin që unë dija dobësinë e tyre. Për ti dalë përpara kësaj, unë mora në telefon Bislim Zyrapin, shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe I thashë se situata është kështu, Daja nuk mu bind të lutëm mere Dajën në telefon dhe fol me të sepse ty të bindet dhe thuaj të shtyhet sulmi për 24 orë. Mirë tha ai. Foli me Dajën, ra dakord dhe Bislim Zyrapi më mori mua në telefon dhe tha Daja është dakord të shtyhet sulmi për 24 orë”.

(Kosova Sot Online)