Familjet gjermane kërkojnë kthimin e fëmijëve të bllokuar në Siri

  • 11 May 2019 - 11:38
Familjet gjermane kërkojnë kthimin e fëmijëve të bllokuar në Siri

Në verën e vitit 2014, Danisch Farooqi thotë se e pranoi një thirrje telefonike nga ish-gruaja, e cila i tregoi se e ka marrë vajzën e tyre, Aaliyan, në Turqi. Ai ishte përpjekur ta kthente vajzën në Gjermani, por për pak ditë ajo kishte arritur në Siri dhe nëna e saj ishte martuar me një luftëtar të ISIS-it.

“As nuk e di se çka ka parë dhe çka ka përjetuar vajza ime gjatë këtyre pesë vjetëve. Kur e mora vesh se ku ndodhet, prita që qeveria gjermane të më ndihmojë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo është shkatërruese dhe e tmerrshme. Jam shumë i zemëruar”, tha babai i vajzës.

Humbja e ISIS-it ka bërë që dhjetëra mijëra njerëz të përfshirë në konflikt të ngujohen në kampet e kontrolluara nga kurdët në veri të Sirisë. Në anën tjetër, qeveria gjermane është treguar e ngadalshme gjatë riatdhesimit të qytetarëve të saj.

Gjatë kësaj jave, Farooqi e organizoi një protestë nga familjet e personave që gjenden në Siri. Besohet që kjo është protesta e parë e këtij lloji në Gjermani. Protestuesit kërkuan nga ministria e jashtme gjermane që të marrë më shumë masa për riatdhesimin e qytetarëve të saj, e sidomos fëmijëve.

Gjermania nuk është shteti i vetëm që po përballet me këtë problem. Mijëra gra dhe burra nga shumë vende të Evropës i janë bashkuar ISIS-it. Franca, Britania e Madhe dhe disa shtete tjera po përpiqen të gjejnë mënyra për t’i trajtuar njerëzit e kthyer nga Siria, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)