Brenda burgut sekret të torturës në Siri: Si i shtypi kundërshtarët Assadi

  • 11 May 2019 - 14:08
Brenda burgut sekret të torturës në Siri: Si i shtypi kundërshtarët Assadi

Forcat siriane të sigurisë e varën Muhannad Ghabbashin duke e lidhur për duarsh dhe e mbajtën ashtu për disa orë, e rrahën deri në gjakderdhje, e sulmuan me elektroshok dhe ia futën një armë në gojë.

Ghabbash, student i drejtësisë nga Aleppo, disa herë u rrëfye për “krimin” e tij: Organizimin e protestave kundër qeverisë. Por tortura vazhdoi për 12 ditë derisa e shkroi një rrëfim të rremë për gjoja planifikimin e bombardimeve. Sidoqoftë, ky ishte vetëm fillimi.

Ai u dërgua në një burg të mbipopulluar në bazën ajrore “Mezze” të Damaskut, ku rojet e burgut i kishin varur të zhveshur atë dhe disa të burgosur të tjerë në një rrethojë dhe i lagnin me ujë në netët e ftohta.

Për t’i argëtuar kolegët e tij gjatë darkës, një oficer që veten e quante Hitler i detyronte të burgosurit t’i imitojnë lehjet e qenve dhe mjaullimat e maceve. Ai i torturonte të burgosurit që nuk dinin ta bënin mirë këtë imitim.

“Unë isha në mesin e njerëzve me fat”, thotë Ghabbash, 31-vjeçar, i cili iu mbijetoi 19 muajve të burgimit derisa një gjyqtar u korruptua për ta liruar atë.

Si president i Sirisë, Bashar al-Assadi e ka ndërtuar një sistem të shkallës industrial të arrestimeve arbitrare dhe torturave në burgje. Përderisa ushtria siriane, e mbështetur nga Rusia dhe Irani, luftonte kundër rebelëve për territor, qeveria kreu luftë të pamëshirshme ndaj civilëve.

Fati i rreth 128 mijë personave nuk dihet. Besohet që shumë prej tyre kanë vdekur ose mbahen ende në burgje. Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut, përafërsisht 14 mijë të burgosur janë vrarë përmes torturave, shkruan “New York Times”.

(Kosova Sot Online)