Gjukanoviq paralajmëron: Rusia dhe Kina po tentojnë ta rrezikojnë Ballkanin Perëndimor

  • 11 May 2019 - 20:26
Gjukanoviq paralajmëron: Rusia dhe Kina po tentojnë ta rrezikojnë Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, por edhe një sërë ekpertësh rajonalë ngrenë alarmin se nëse Bashkimi Evropian nuk vepron shpejt, Ballkani Perëndimor do të bjerë në dorë të Rusisë dhe Kinës.

“Moska, nëpërmjet ndikimit politik dhe Pekini, përmes huave, synojnë të parandalojnë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së në Ballkan”, tha Gjukanoviq në një intervistë për “Reuters”.

Sipas tij, kjo do të thotë se rajoni duhej të ishte interesi kryesor strategjik i Bashkimit Evropian.

“Nëse BE nuk e kupton këtë, unë kam frikë se e ardhmja jonë mund të jetë në rrezik”, tha ai.

BE-ja është duke vënë si kusht çrrënjosjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por është duke ulur fondet për vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me Bankën Botërore dhe huadhënësit e tjerë perëndimorë, duke e lënë Kinën të mbushë boshllëkun.

“Palët e treta, të tilla si Rusia dhe Kina, po bëjnë përparime për shkak të mungesës së një aktiviteti konkret të BE në rajon”, tha presidenti malazez, duke përmendur lodhjen nga perspektiva e zgjerimit dhe tensionet e brendshme politike.

“Pse institucionet financiare evropiane nuk ofrojnë kushte të njëjta?”, pyeti Gjukanoviq.

Ndërkohë ekspertët e diplomacisë në Ballkan thonë se Rusia ka punuar shumë për të kthyer apo për të rritur ndikimin në Evropë.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin e Parisit, thotë se Rusia synon që t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, transmeton gazeta Dita.

“Strategjia aktuale e Rusisë është që të pengojë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes aktorëve lokalë. Në këtë moment, Rusia nuk ka ndonjë synim të rrisë prezencën ushtarake. Mirëpo, të gjitha synimet e saj është duke i arritur duke shtuar tensionet ekzistuese, duke keqpërdorur situatat konfliktuoze në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thekson Murtezaj për “Radio Evropën e Lirë”.

Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara thotë se ndikimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është element i rëndësishëm i gjeopolitikës së Rusisë.

“Karakteristikat që ka aktualisht rajoni ynë, faza e tranzicionit të tij, elementet e dukshme të keqqeverisjes në shumë vende në këtë rajon, krizat ciklike të përsëritura, dukuritë si korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe dukuritë tjera që provokojnë herë pas herë jo-stabilitet, jo-qëndrueshmëri dhe kriza të formateve të ndryshme, janë të gjitha elemente që i hapin dyert mundësisë për t’u rritur prezencën dhe influencën ruse në këtë rajon”, thekson Bashkurti.

Ai thekson se Rusia ka arritur të shtrijë ndikimin edhe në disa nga vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian.

(Kosova Sot Online)