Negociatat për Brexitin do të dështojnë

  • 12 May 2019 - 16:59
Negociatat për Brexitin do të dështojnë

Ish-ministri britanik i mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se bisedimet e kryeministres Theresa May me Partinë Laburiste për Brexitin janë një gabim i rëndë.

Zonja May po shpreson të arrijë një konsensus me partinë opozitare për marrëveshjen e saj lidhur me largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pasi miratimi i saj dështoi tri herë rresht në kuvend.

Sidoqoftë, Williamson, i cili ishte shkarkuar për shkak të publikimit të të dhënave lidhur me kompaninë “Huawei”, tha se këto bisedime janë të paracaktuara të dështojnë. Ai shtoi se interesi i vetëm i liderit të opozitës, Jeremy Corbyn, janë zgjedhjet e përgjithshme.

“Edhe nëse laburistët bëjnë marrëveshje, e ndajnë bukën me kryeministren dhe thonë se të dyja partitë janë pajtuar për këtë, e tërë kjo mund të përfundojë në lotë. Partia Laburiste nuk ekziston për ta ndihmuar Partinë Konservatore”, tha ai.

Ish-ministri tha se Corbyn do të bëjë gjithçka që mundet për t’i përçarë, penguar dhe nervozuar konservatorët me shpresë për ta rrëzuar qeverinë.

Britania e Madhe është dashur të largohej nga Bashkimi Evropian më 29 mars të këtij, por ky afat është shtyrë deri më 31 tetor pasi parlamenti dështoi ta arrinte një marrëveshje për këtë proces, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)