Basha i përgjigjet Ramës: Mos i kalo caqet, do lutesh të kesh fatin e Gruevski

  • 13 May 2019 - 08:40
Basha i përgjigjet Ramës: Mos i kalo caqet, do lutesh të kesh fatin e Gruevski

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama, 24 orë përpara protestës së opozitës, të tërhiqet dhe të mos kalojë caqet, pasi në të kundërt do të ketë një fat më të keq se ai i ish-Kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski.

Në një bashkëbisedim me gazetarët përpara protestës së PDsë dhe ftesës së hapur që Kryeministri Rama bëri për dialog, Basha qartësoi se është e panegociueshme për opozitën largimi i kreut të qeverisë. “Sot nuk jam nisur të mund Edi Ramën; Edi Ramën e ka mundur lodhja, e ka mundur pushteti 21- vjeçar, e ka mundur zullumi dhe varfëria e popullit, e ka mundur hajnia, e ka mundur arroganca.

 

Sot unë dhe Partia Demokratike, e gjithë opozita e bashkuar jemi nisur për të rikthyer normalitetin politik në vend, për të rikthyer demokracinë, për të rikthyer shpresën në këtë vend, për të rikthyer mundësitë për çdo shqiptar për të jetuar me dinjitet.

Megjithatë, sot, orë pas dramës së mbrëmshme të dhunës, të parë nga gjithë shqiptarët dhe gjithë bota kundër opozitarëve dhe në prag të protestës kombëtare të thirrur nesër në orën 18:30, dua t’i bëj një paralajmërim të qartë kreut të klikës në pushtet: Mos i kalo caqet! Mos bëj të fortin pas autoblindave dhe pas gazit lotsjellës! Harroje se do të marrësh e do të mbash pushtet me dhunë! Në rastin më të mirë do të lutesh të kesh fatin e Nikolla Gruevskit”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së tha se është i gatshëm të ulet me çdo palë për të negociuar, por jo me Edi Ramën, i cili, sipas tij, duhej të ishte në burg.

Le të supozojmë se mbështetësit e PS apo ata të Bindjes Demokratike duan të votojnë partitë e tyre më 30 qershor. Ku do ta gjeni të drejtën për t’i penguar qytetarët për të ushtruar të drejtën e votës?

Duhet ta kuptoni se e gjithë kjo bëhet për zgjedhje. Pra, ose do të ketë zgjedhje, ose nuk do të ketë zgjedhje. Nëse nuk ka një proces të garantuar, ku qytetarët mund të votojnë të lirë, nuk quhen zgjedhje. Duhet t’i japim fund skizofrenisë politike, ose jemi në një situatë normale dhe atëherë keni gjithë të drejtën të kërkoni ta ndal këtë betejë dhe ju të vazhdoni të bëni jetën tuaj të lirë e të lumtur, ju gazetarët të bëni profesionin tuaj të lirë nga presionet, të garantuar në statusin tuaj social, ose duhet të pranojmë se vendi është në një krizë të thellë dhe rrënja e kësaj krize është se nuk ka zgjedhje.

Atëherë e gjithë kjo betejë është që të rikthejmë zgjedhjet, e gjithë kjo betejë është që t’u rikthejmë të drejtën qytetarëve për të zgjedhur me votë deputetët, kryebashkiakët, këshilltarët, qeverinë që duan, në bazë të ofertave, në bazë të programeve dhe t’i shkarkojnë atëherë kur ata vlerësojnë se ajo qeveri apo ai kryebashkiak nuk bëjnë më apo nuk e kanë bërë detyrën.

Ky mekanizëm është prishur dhe pastaj gjithçka tjetër ka rënë në duart e një njeriu të lidhur me krimin, të lidhur me oligarkinë. Dhe kjo është arsyeja pse liria e medias është në pikën e saj më të ulët në 29 vite. Është e paimagjinueshme t’i thuash opozitës, futu dhe bëj zgjedhje. Jo vetëm do garosh me përdhunuesin, por përdhunuesi do jetë dhe kujdestar i këtyre zgjedhjeve, do të jetë arbitri i këtyre zgjedhjeve.

Ka dy rrugë për ta zgjidhur këtë: Ose të futemi me kobure në brez, çka, siç ju thashë, e kemi refuzuar. Ose rruga politike që kemi ndjekur, duke djegur mandatet, duke mos u bërë më pjesë e një Parlamenti delegjitim dhe duke thirrur shqiptarët të bashkohen. Për çfarë? Që të kenë të drejtën ata, të zgjedhin kryebashkiakët e ardhshëm, deputetët e ardhshëm, qeverinë e ardhshme.

Kjo është beteja! Në fund, do të jenë qytetarët që do të vendosin; Kë duan të zgjedhin deputet, se kujt duan t’i japin shumicën për të qeverisur, se kë duan të zgjedhin kryebashkiak. Ka dy palë zgjedhje, që Edi Rama e merr pushtetin në tavolinë me krimin. E vetmja gjë që ne kërkojmë është që kjo të marrë fund. Dhe e vetmja mënyrë për ta organizuar këtë, është që përdhunuesi serial i zgjedhjeve të mos jetë kujdestari i zgjedhje të ardhshme.

Ju deklaruat se beteja e opozitës nuk është për pushtet, ndërkohë që Kryeministri është treguar i hapur për dialog me opozitën. Pavarësisht se e keni cilësuar si kusht të panegociueshëm largimin e Ramës, a është e gatshme të negociojë me të për të shmangur një konflikt civil?

Ne jemi në kulmimin e një krize, e cila ka lindur pikërisht sepse të drejtat civile janë dhunuar dhe asgjësuar. Janë dhunuar institucionet, janë asgjësuar institucionet, janë kapur institucionet. Dhe kjo është përgjigja e popullit ndaj kësaj krize. Hapi i parë për zgjidhjen e krizës është largimi i Kryeministrit të lidhur me krimin. Realisht, i mirëkuptoj ata që thonë; po kërkon shumë pak, se ky jo thjesht nuk duhet të jetë Kryeministër, ky nuk duhet të garojë, ky duhet të jetë në burg. Dhe në fakt, në çdo vend europian, për secilin prej skandaleve që kanë ndodhur, ky duhet të ishte larguar prej kohësh, ky duhet të ishte para drejtësisë. Jo europiane, por në vende ballkanike!

Por kjo që po kërkojmë është e panegociueshme. Jo për ne! Është e panegociueshme, sepse nuk ka mënyrë tjetër për t’i shërbyer interesit publik. Gjithçka tjetër do ta shndërronte këtë në atë për të cilën jemi akuzuar me të padrejtë: Në një pazar! Nuk jemi këtu për pazar, nuk jemi këtu për pushtet. Jemi këtu për një transformim politik, i cili padyshim kërkon konsensus, dialog, kompromis, me të gjithë palët politike, por jo nën kujdestarinë e një përdhunuesi serial.

Në mënyrën më absolute dhe të prerë: Është i panegociueshëm largimi i Edi Ramës si Kryeministër. Vetëm kjo i hap rrugë zgjidhjes politike, në të cilën, padyshim, ftojmë Partinë Socialiste të jetë pjesë përbërëse e kësaj zgjidhjeje dhe pastaj të transformimit politik, për të cilin luftojmë dhe qëndrojmë ne si opozitë dhe në veçanti unë dhe Partia Demokratike.

Keni thirrur protestën e pestë kombëtare, ku një nga kërkesat është largimi i Edi Ramës. Kryeministri ka dhënë përgjigjen e tij, ku ka thënë se nuk do të largohet. Si pritet të vijojë aksioni opozitar?

Aksioni opozitar është ai që kemi shpalosur prej kohësh. Sot ne jemi një aksion popullor. Kriza ku ndodhemi, ka vetëm dy rrugë zgjidhjeje: Ose vendi do të vazhdojë të bjerë në tiraninë e krimit, pasi t’i ketë kapur edhe ata gjyqtarë e prokurorë që i kanë mbetur pa kapur, pasi të ketë kapur edhe ato dy-tre pasuri të vendit dhe t’ua ketë dorëzuar oligarkëve që nuk ua ka dhënë akoma, se gjysmën e më shumë ua ka dhënë me koncesione, PPP dhe tendera, do të ketë pastaj marrëzitë e fundit të autokratit.

Por unë besoj se shanset që kjo të ndodhë janë zero. Prandaj, në këtë mision jemi të qartë dhe të vendosur. Hapi që kemi hedhur është pa kthim, mandatet janë djegur dhe ne jemi në krah të qytetarëve. Bashkë me qytetarët kemi garancinë që kjo betejë nuk do të ketë, siç nuk ka ndodhur kurrë në histori, fundin që ëndërrojnë autokratët e korruptuar, por do të ketë fund që ka gjithmonë një popull kur bashkohet për një kauzë të drejtë, fitoren e kauzës së drejtë.

Pyetja e vetme është: me çfarë fature dhe si do të përfundojë Edi Rama? Se si do të përfundojë beteja, kjo dihet. Shqipëria do të jetë një vend me liri, me demokraci, me shtet të së drejtës. Historia na tregon, edhe historia fare e afërt, se ku ka qëndresë, ku ka pjesëmarrje, ku ka vendosmëri, fiton bashkimi i njerëzve për një kauzë të drejtë. Mos ta përmend për herë të tretë, kështu ka ndodhur në rajon, kështu ka ndodhur në Shqipëri edhe më parë, kështu do të ndodhë edhe tani. Ta harrojë Edi Rama se do ta mbajë pushtetin me dhunë. Ta harrojë Edi Rama se do të bëjë zgjedhje me krimin. Sa më shpejt t’i vërë gishtin kokës, aq më mirë për të. Ne jemi të vendosur! Kthim prapa nuk ka!

Kryeministri Rama deklaroi sot se ambasadori i OSBEsë është kërcënuar vetëm se e cilësoi dhunën kriminale. Keni ndonjë koment për parullat, që janë shënuar në pallatin ku ambasadori jeton?

Nuk kam asnjë informacion që ndonjë ambasador të jetë kërcënuar. Nëse keni, ndajeni me mua. Ndonjë koment për parullat?

Për çfarë parullash bëhet fjalë?

“Borshard, turp të kesh”. Kjo ishte parulla në pallatin ku ai banon.

Edhe një herë, si ishte parulla?

“Borshard, turp të kesh”.

Nuk të dëgjoj. Edhe një herë të lutem?

“Borshard, turp të kesh”.

No comment.

(Kosova Sot Online)