Një ish-ushtar i UÇK ‘së u nis sot drejt Hagës, nesër shkon edhe një tjetër

  • 13 May 2019 - 13:15
Një ish-ushtar i UÇK ‘së u nis sot drejt Hagës, nesër shkon edhe një tjetër

Veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Rrahmanaj, është nisur sot për në Hagë ku do të intervistohet nga Prokuroria Speciale. Ai është personi i tretë i cili ka marrë pjesë në UÇK e që është nisur për në Hagë për intervistim gjatë 2 javëve të fundit. Nesër do të niset edhe veterani i katërt i UÇK’së nga grupi prej 4 personave sa kanë qenë tash të paraparë për intervisitim nga Specialja.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i OVL e UÇK’së, Hysni Gucati.

“Po jemi në dijeni se Rrahmanaj është nisë sot për në Hagë. Para tijë me grupin e njëjtë janë nisur edhe 2 veteranë të tjerë për intervistim. Nesër është edhe një ish-luftëtar i cili do të niset për në Hagë. Do të thotë janë katër ish-pjestarë të UÇK’së që do të intervistohen me këtë grup”, ka deklaruar Gucati.

Gucati ka sqaruar se nuk e di në çfarë cilësie u ftuan këta  veteranë në Hagë për shkak se në ftesë nuk është specifikuar cilësia në të cilën është thirrur për intervistim.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, ndërsa institucioni është bërë funksional në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja e Procedurave dhe e Provave.

Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

(Kosova Sot Online)