Shpërthen Haziri: Ja pse nuk u zbardh vrasja e Xhemail Mustafës...

  • 14 May 2019 - 07:44
Shpërthen Haziri: Ja pse nuk u zbardh vrasja e Xhemail Mustafës...

Analisti politik Nexhat Haziri, duke ju referuar zvarritjeve me dekada në hetimin dhe zbardhjen e vrasjeve të karakterit politik në Kosovës, ku bëjnë pjesë kryesisht personalitetet nga radhët e LDK-së, tha për “Kosova Sot Online” se është shumë e dhimbshme që vrasja e një prej personaliteteve më të njohura të kohës, të periudhës më të ndritur të historisë së shqiptarëve, të përpjekjeve biblike të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe demokraci, ndodhi në kohën kurë Kosova ia kishte arritur synimit për të qenë një vend i lirë, prandaj është një dështim i madh, i pa falshëm i drejtësisë Kosovare që nuk e hetoi dhe nuk e ndëshkoi krimin.

Image
Nexhat Haziri

Për vrasjet e tilla, Sipas Hazirit ka dëshmi të mjaftueshme por se ato nuk materializohen nga institucionet e drejtësisë vendore, sikur që nuk u përdorën edhe nga administrata e UNMIK-ut dhe EULEX-it, sepse i janë frikësuar stabilitetit të brendshëm politik, i cili kushtëzohet nga të fortët e krahut të luftës.

“E kam thënë edhe më parë se për vrasjen e Xhemajl Mustafës por edhe për vrasjet e tjera politike në Kosovë, kanë dëshmi ndërkombëtarët dhe nëse do të ekzistonte një vullnet i mira sidomos për periudhën kur UNMIK-u qeveriste me Kosovën, do të zbardhej vrasja e Xhemajl Mustafës dhe aktorët e këtij akti kriminal tani do të ishin duke e vuajtur dënimin dhe jo të jenë përfaqësues politik dhe shtetëror siç janë të akomoduar aktualisht.

Mos zbardhja e kësaj vrasje nga administrata e UNMIK-ut në atë kohë, por edhe më vonë nga EULEX-i është bërë për shkak të ruajtjes së të ashtuquajturit stabilitet të brendshëm politik, pasi në këtë vrasje sipas të dhënave të shërbimeve ndërkombëtare të inteligjencës janë të përfshirë edhe njerëz të forte, komandant të UÇK-së, e që për fat të keq të tillët sot janë personalitete të larta politike”, theksoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, ai thotë se është koha e fundit që faktori ndërkombëtar, partnerët tanë, t’i bëjnë një shërbim Kosovës, duke iu ofruar këto dëshmi Gjykatës Speciale që është e vetmja shpresë për të sjell drejtësi për këto raste , pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë tani për tani, janë të kapura dhe të shantazhuara nga vrasësit e Xhemajl Mustafës, dhe të kontribuojë ne zbardhjen e kësaj vrasje si dhe vrasjeve të tjera politike në vend.

“Kjo do i hapte rrugë dekriminalizimit të skenës politike në vend, familjeve sado pak do iu kthehej qetësia shpirtërore dhe Kosova nuk do ta barte këtë barrë të rend si gur rrethe qafës nga nja pjesë e errët e të kaluarës së sajë të afërt. Vrasësit e pandëshkuar janë rrezik potencial që krimet e tyre ti përsërisin kudo dhe në çdo kohë,sidomos kur ata janë të veshur edhe me mandat politik”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )